

Tre persona mbetën të plagosur, dy prej tyre në gjendje kritike, pas një shpërthimi të ndodhur mbrëmjen e së dielës në Principatën e Monakos. Autoritetet e kanë cilësuar ngjarjen si një akt të qëllimshëm dhe po hetojnë pistën e një atentati.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 21:00 në hollin e një ndërtese banimi në Rue du Révérend Père Louis Frolla, pranë kufirit me Francën. Sipas hetimeve paraprake, një person dyshohet se la një çantë ose pako me lëndë shpërthyese në hyrje të godinës, përpara se të largohej nga vendngjarja. Brenda pajisjes janë gjetur bulona dhe sfera metalike, çka përforcon dyshimet për një sulm të planifikuar.
Sipas mediave franceze, mes tyre Le Figaro, tre të plagosurit i përkasin familjes së biznesmenit ukrainas Vadim Ermolaev, megjithatë identiteti i tyre nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet e Monakos. Dy të rritur, një burrë dhe një grua, ndodhen në gjendje kritike, ndërsa një 13-vjeçar ka pësuar lëndime më të lehta.
Ministri i Shtetit i Monakos, Christophe Mirmand, deklaroi se ka gjasa të bëhet fjalë për një atentat, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm Stéphane Thibault bëri të ditur se autori është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe vijon të jetë në arrati.
Në operacionin hetimor janë përfshirë autoritetet e Monakos dhe Francës, përfshirë Policinë Gjyqësore të Alpes-Maritimes, forcat speciale të BAC-së së Nicës dhe patrulla të policisë nga Nica e Mentoni. Gjithashtu, xhandarmëria ka forcuar kontrollet në hyrje dhe dalje të autostradave në zonë.
Për ngjarjen reagoi edhe Princi Albert II i Monakos, i cili e cilësoi shpërthimin si "një krim të tmerrshëm" dhe "një tronditje për të gjithë komunitetin monegask".
"Principata e Monakos do të mbetet e bashkuar dhe e vendosur përballë dhunës dhe kriminalitetit. Siguria e qytetarëve tanë mbetet prioritet absolut", thuhet në deklaratën e princit.
Sipas burimeve pranë hetimeve, Vadim Ermolaev, i cili jeton në Monako, ndodhet nën sanksione të vendosura nga autoritetet ukrainase që prej dhjetorit 2023. Mediat raportojnë se masat lidhen me aktivitetet e tij të biznesit në Krime, territor i pushtuar nga Rusia.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorit, ndërsa autoritetet pritet të japin detaje të tjera gjatë një konference për shtyp të planifikuar nga Prokuroria e Monakos.
Ukrainian media reports that Ukrainian oligarch, who was sanctioned by Zelensky, his wife & teenager son are critically injured in explosion in Monaco. Suspect left bag with this bomb & fled. Monaco calls this first terrorist attack in its history. pic.twitter.com/vSyI09Vkmu
— Ivan Katchanovski (@I_Katchanovski) June 29, 2026
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






