

Paraguai ka shkaktuar surprizën e parë të madhe të Kupës së Botës 2026, duke eliminuar Gjermaninë në fazën e 1/16-ave pas ekzekutimit të penalltive. Koha e rregullt dhe shtesat u mbyllën në barazim 1-1, ndërsa skuadra amerikano-latine triumfoi 4-3 nga pika e bardhë, duke siguruar një vend në fazën e 1/8-ave.
Takimi i zhvilluar në Boston nisi më mirë për Paraguain, që kaloi në avantazh në minutën e 42-të falë golit të Julio Encisos. Gjermania reagoi në pjesën e dytë dhe barazoi shifrat në minutën e 54-t me Kai Havertz.
Në minutën e 102-të, Jonathan Tah dërgoi topin në rrjetë për Gjermaninë, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për një faull në aksion. Me rezultatin 1-1 të pandryshuar edhe pas 120 minutash, fituesi u vendos nga penalltitë.
Nga pika e bardhë, Paraguai u tregua më i saktë, duke fituar 4-3. Protagonist absolut ishte portieri Orlando Gill, i cili priti dy penallti, ndërsa për Gjermaninë gabuan Kai Havertz, Nick Woltemade dhe Jonathan Tah.
Me këtë sukses, Paraguai avancon në raundin e 1/8-ave, ku do të përballet me fituesin e sfidës Francë–Suedi.
Sfida shënoi edhe paraqitjen e fundit me fanellën e Gjermanisë për portierin Manuel Neuer. Veterani, i rikthyer në kombëtare pas një thirrjeje të trajnerit Julian Nagelsmann, priti një penallti, por nuk arriti të shmangte eliminimin e katër herë kampionëve të botës.
Ky rezultat përfaqëson një moment historik për Paraguain, që hakmerret për humbjen 1-0 ndaj Gjermanisë në fazën e 1/8-ave të Botërorit 2002. Gjithashtu, është vetëm hera e dytë që paraguajanët sigurojnë kualifikimin në një fazë çerekfinale të Botërorit përmes penalltive, pas suksesit ndaj Japonisë në edicionin e vitit 2010.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






