Transmetuar më 29-06-2026, 23:31

TIRANË – Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, ka paraqitur raportin vjetor të institucionit në Komisionin Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, ku ka bërë një panoramë të kërcënimeve që, sipas shërbimit inteligjent, prekin sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Gjatë raportimit me dyer të mbyllura, që zgjati më shumë se dy orë, Hyseni u ndal te aktivitetet e shërbimeve të huaja të inteligjencës, kërcënimet hibride, operacionet e ndikimit malinj, fushatat e dezinformimit, si edhe te rreziku i terrorizmit, radikalizmit dhe krimit të organizuar.

Sipas pjesëve të raportit të bëra publike, SHISH vlerëson se është shënuar rritje e kërcënimeve hibride në formën e fushatave të dezinformimit dhe operacioneve të ndikimit nga shërbime inteligjente të vendeve që kundërshtojnë proceset integruese të Shqipërisë.

“SHISH vlerëson se ka rritje të kërcënimeve hibride në formën e aktiviteteve influencuese malinje, fushatave të dezinformimit dhe operacioneve informative nga shërbime inteligjente të vendeve kundërshtare ndaj proceseve integruese të Shqipërisë, të cilat synojnë të nxisin destabilitet dhe pasiguri. Në këtë kontekst, SHISH bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë për t’iu kundërvënë këtyre aktiviteteve”, citohet të ketë deklaruar Hyseni.

Raportimi u shoqërua me debate politike, pasi deputetët e opozitës Klevis Balliu dhe Flamur Noka akuzuan SHISH se po përdoret për të mbledhur informacione mbi protestuesit dhe në funksion të interesave politike të qeverisë.

Balliu pretendoi se shërbimi është infiltruar në protestat qytetare, ndërsa Noka akuzoi institucionin se po vepron në funksion të kryeministrit Edi Rama dhe jo të sigurisë së shtetit.

Sipas burimeve nga mbledhja, drejtoresha e SHISH i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar ato si dezinformim dhe retorikë politike.

“Po dezinformoni dhe po e përdorni, si gjithmonë, raportimin në komision për retorikë dhe interesa politike”, mësohet t’u ketë deklaruar Hyseni deputetëve të opozitës.

Raporti vjetor i SHISH pritet të shqyrtohet më tej në strukturat parlamentare, ndërsa pjesa më e madhe e përmbajtjes së tij mbetet e klasifikuar për shkak të natyrës së informacionit që trajton.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit