

LEZHË – Një zjarr ka përfshirë pasditen e kësaj të hëne një masiv pyjor në fshatin Kolsh, në zonën e Grykë Manatit, në Bashkinë Lezhë, duke djegur një sipërfaqe me shkurre dhe pisha.
Sipas informacioneve nga terreni, flakët shkaktuan dëme në vegjetacion, por fatmirësisht nuk pati rrezik për banesat apo për jetën e banorëve të zonës.
Për shkak të terrenit të vështirë malor, ndërhyrja me automjete zjarrfikëse ishte e pamundur, ndaj operacioni për izolimin e zjarrit u zhvillua vetëm nga forcat tokësore të shërbimit zjarrfikës dhe strukturave vendore.
Më vonë, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) të Bashkisë Lezhë njoftuan se vatra e zjarrit është vënë nën kontroll të plotë.
Sipas autoriteteve, brenda perimetrit të zjarrit vijojnë të mbeten disa vatra të vogla aktive, për shuarjen e të cilave po punojnë efektivët e MZSH-së dhe punonjësit e bashkisë.
Për të shmangur riaktivizimin e flakëve, ekipet zjarrfikëse do të monitorojnë gjatë gjithë natës zonën e prekur, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri deri në shuarjen e plotë të zjarrit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






