

TIRANË – Avokati Kujtim Cakrani ka folur për herë të parë pas ndërprerjes së bashkëpunimit me ish-presidentin Ilir Meta, duke sqaruar se ndarja mes tyre ka ardhur pas 13 muajsh përfaqësimi ligjor dhe nuk lidhet, sipas tij, me zhvillime të jashtëzakonshme.
Në një intervistë televizive, Cakrani u shpreh se marrëdhënia profesionale me Metën ka përfunduar pas një periudhe bashkëpunimi, duke theksuar se në dy seancat e fundit gjyqësore është krijuar një mosbesim mes palëve.
“Nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Marrëdhëniet dhe marrëveshjet edhe prishen. Kam qenë përfaqësues ligjor për 13 muaj dhe e kam përfaqësuar drejt. Marrëdhënia ka përfunduar dhe u krijua mosbesim në seancat e fundit,” deklaroi ai.
“Nuk kam parë komplot në dosje”
I pyetur mbi deklaratat e tij të mëparshme për mungesë të një komploti në çështjen ndaj Metës, Cakrani këmbënguli se qëndrimi i tij bazohet vetëm në materialet e dosjes gjyqësore.
“Nga dëshmitarët dhe aktet në dosje nuk kam parë asnjë komplot ndaj tij. Ka perceptime të gabuara, por jo prova. Ka një komplot politik, por jo në kuadër të çështjes penale,” u shpreh avokati.
Sipas tij, ish-presidenti Ilir Meta nuk implikohet penalisht nga provat ekzistuese dhe duhet të gjykohet në gjendje të lirë.
“Meta është i pafajshëm dhe nuk ka prova që e implikojnë për fajësi penale. Nuk ka asnjë fakt penal kundër tij,” tha Cakrani.
Deklarata për “komplot politik”
Avokati shtoi se, sipas bindjes së tij personale, ndaj Metës ekziston një “komplot politik” i nisur prej vitesh, duke përmendur aktorë të ndryshëm politikë dhe institucionalë, pa e lidhur këtë me dosjen gjyqësore.
Mundësia për të mbrojtur Monika Kryemadhin
I pyetur në fund të intervistës nëse do të pranonte të ishte avokat i Monika Kryemadhit, Cakrani nuk e përjashtoi këtë mundësi.
“Kurrë mos thuaj kurrë. Profesioni të çon atje ku nuk e mendon,” u përgjigj ai.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






