

KUPA E BOTËS – Brazili ka rritur ndjeshëm ritmin në pjesën e dytë të sfidës ndaj Japonisë, duke barazuar shifrat dhe duke qenë shumë pranë golit të përmbysjes në ndeshjen e vlefshme për raundin e 1/32-ave të Kupës së Botës.
"Seleçao" riktheu ekuilibrin në minutën e 56-të, kur Casemiro shfrytëzoi në maksimum një krosim të saktë të Gabrielit, duke dërguar topin në rrjetë me kokë për rezultatin 1-1.
Vetëm tre minuta më vonë, Vinícius Júnior ishte shumë pranë golit të avantazhit. Sulmuesi brazilian kaloi mbrojtësit me një aksion individual dhe lëshoi një goditje të fortë drejt këndit të poshtëm, por portieri Zion Suzuki reagoi në mënyrë spektakolare, duke devijuar topin në shtyllë dhe duke shpëtuar Japoninë nga goli i dytë.
Më herët, në minutën e 52-të, Suzuki ishte sërish protagonist, duke ndalur me një pritje fantastike goditjen me kokë të Bruno Guimarães, ndërsa në minutën e 54-t Casemiro u ndal nga mbrojtja japoneze dhe portieri.
Japonia kishte kaluar në avantazh në minutën e 29-të me një gol të bukur të Sanos, duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi 1-0. Megjithatë, presioni i vazhdueshëm i brazilianëve në fraksionin e dytë ka ndryshuar rrjedhën e ndeshjes, e cila mbetet plotësisht e hapur.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






