Transmetuar më 29-06-2026, 19:57

PODGORICË – Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilloi këtë të hënë një takim me dhjetëra të rinj shqiptarë në Podgoricë, ku mori pjesë në aktivitetin e Akademisë Politike të Forumit Shqiptar.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spiropali ndau përshtypjet nga takimi, duke theksuar se tek të rinjtë shqiptarë pa atë që e cilësoi si "shqiptarin e ri", një model që, sipas saj, nuk përcaktohet nga mosha, por nga një mentalitet i bazuar te dija, merita dhe puna.

"Nuk është thjesht një moshë, por një mënyrë të menduari. Është ai djalë dhe ajo vajzë që nuk e matin veten me atë që kanë, por me atë që dinë; që nuk pyesin ‘kë njoh’, por ‘çfarë mund të ndërtoj'", shkruan Spiropali.

Ajo thekson se "shqiptari i ri" është modeli që kombi shqiptar ka pritur ndër shekuj dhe që sot, sipas saj, ka guximin ta kërkojë me dinjitet. Sipas Spiropalit, ky model gjendet kudo ku jetojnë shqiptarë, në Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe diasporë.

Në mesazhin e saj, Spiropali vlerëson kontributin e brezave të mëparshëm, të cilët, sipas saj, luftuan për lirinë, mbijetesën, gjuhën dhe identitetin kombëtar. Ndërsa për brezin e ri, ajo nënvizon se sfidat janë të tjera.

"Sot misioni i shqiptarit të ri është fitorja e dijes mbi injorancën, e meritës mbi privilegjin, e lirisë mbi nënshtrimin dhe e punës mbi pritjen", shprehet ajo.

Në përfundim të reagimit, Spiropali falënderoi Forumin Shqiptar për organizimin e aktivitetit dhe të rinjtë shqiptarë kudo që jetojnë, duke theksuar se ata përfaqësojnë jo vetëm vazhdimësinë e identitetit kombëtar, por edhe garancinë për një të ardhme më të mirë.

"Ju jeni dëshmia se kombi ynë nuk ka vetëm një të kaluar të lavdishme, por edhe një të ardhme që do të na bëjë krenarë. E ardhmja u përket atyre që guxojnë", përfundon mesazhi i Spiropalit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit