Transmetuar më 29-06-2026, 19:20

TIRANË – Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 84 mijë lekë gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje nga 77.4 mijë lekë që ishte një vit më parë. Megjithatë, diferencat mes sektorëve të ekonomisë mbeten të konsiderueshme, me disa profesione që ofrojnë paga më shumë se dyfishin e mesatares kombëtare.

Sipas një analize të revistës "Monitor", të bazuar në të dhënat e publikuara nga INSTAT, vendin e parë për nivelin më të lartë të pagave e mbajnë institucionet ndërkombëtare. Punonjësit e këtij sektori janë paguar mesatarisht me 189 mijë lekë bruto në muaj, ose rreth 2 mijë euro, duke regjistruar një rritje prej 4% krahasuar me vitin 2024.

Në vendin e dytë renditen aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ku paga mesatare mujore arriti në 160 mijë lekë, 6.7% më shumë se një vit më parë. Ky sektor shënoi edhe rritjen më të madhe në vlerë absolute, me rreth 10 mijë lekë më shumë për punonjësit.

Ndër sektorët më të paguar vijon të jetë edhe Informacioni dhe Komunikacioni (IT). Punonjësit e teknologjisë përfituan mesatarisht 127.4 mijë lekë në muaj, me një rritje prej 8.9% ose rreth 10 mijë lekësh krahasuar me vitin 2024.

Industria nxjerrëse renditet e katërta, me një pagë mesatare prej 109 mijë lekësh, megjithëse ky sektor shënoi një rënie prej afro 3% në raport me një vit më parë.

Ndërkohë, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike vijojnë të njohin zgjerim, duke ofruar një pagë mesatare prej 105 mijë lekësh në muaj, ose rreth 8.7 mijë lekë më shumë se në vitin 2024.

Rritje të ndjeshme kanë regjistruar edhe pagat në administratën publike. Në sektorin e Administrimit Publik dhe Mbrojtjes, paga mesatare arriti për herë të parë në 104.5 mijë lekë gjatë vitit 2025. Krahasuar me vitin 2022, kur paga mesatare ishte 72.5 mijë lekë, rritja arrin në 44%.

Edhe sektori i Furnizimit me Energji Elektrike, Gaz, Avull dhe Ajër të Kondicionuar ofroi paga mbi mesataren kombëtare, me 102.7 mijë lekë në muaj. Ky sektor dominohet kryesisht nga ndërmarrje publike si OSHEE dhe KESH.

Në arsim, paga mesatare u ngjit në 99.3 mijë lekë, duke iu afruar për herë të parë pragut prej 100 mijë lekësh. Në vetëm tre vite, paga mesatare e mësuesve është rritur me afro 30 mijë lekë.

Edhe në sektorin e shëndetësisë dhe shërbimeve sociale është shënuar një rritje e konsiderueshme. Në vitin 2025, paga mesatare arriti në 92 mijë lekë, nga 68 mijë lekë që ishte në vitin 2022.

Një nga sektorët që ka njohur rritje të vazhdueshme është edhe ai i shërbimeve në familje. Paga mesatare e punonjësve të këtij sektori arriti në 77 mijë lekë, ose rreth 91% e pagës mesatare kombëtare. Rritja e kërkesës për këto shërbime dhe formalizimi i punësimit, përfshirë punonjës të huaj, kryesisht nga Filipinet, kanë ndikuar në këtë tendencë.

Rritje të ndjeshme të pagave janë regjistruar edhe në sektorin e pasurive të paluajtshme, ku paga mesatare arriti në 84 mijë lekë, rreth 10.7% më shumë se një vit më parë. Edhe ndërtimi shënoi një rritje prej 12%, me pagën mesatare që arriti në 69 mijë lekë.

Në anën tjetër të renditjes vijojnë të mbeten akomodimi dhe shërbimi ushqimor, me një pagë mesatare prej 56.4 mijë lekësh, si dhe bujqësia, e cila mbetet sektori me pagën më të ulët në vend, me 55.5 mijë lekë në muaj, pavarësisht rritjes graduale të pagave në vitet e fundit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit