

SHBA – Projekti për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit nga kompania e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, është përfshirë në debatin e fushatës elektorale në Shtetet e Bashkuara.
Senatori demokrat nga Georgia, Jon Ossoff, i cili po kandidon për një mandat të ri në Senat, e përdori marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë së Kushner si shembull për të kritikuar familjen Trump, duke ngritur pikëpyetje mbi konfliktin e mundshëm të interesit dhe ndikimin politik në investimet ndërkombëtare.
Gjatë një aktiviteti elektoral në Savannah, Ossoff deklaroi se Jared Kushner, pasi siguroi financime nga Arabia Saudite, vendosi të zhvillojë një resort luksoz në ishullin e Sazanit. Sipas tij, vetëm pak javë pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, qeveria shqiptare i akordoi kompanisë së Kushner statusin e investitorit strategjik, duke përshpejtuar procedurat për miratimin e projektit.
Senatori demokrat e cilësoi Sazanin si një pasuri me vlera të veçanta natyrore për Shqipërinë, duke pretenduar se mbrojtja ligjore e zonës u ndryshua për t’i hapur rrugë investimit. Ai iu referua gjithashtu protestave të zhvilluara në Shqipëri kundër projektit, duke i përshkruar ato si pjesë të asaj që e quajti "Revolucioni i Flamingove".
Në fjalën e tij, Ossoff përmendi edhe hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke iu referuar ngrirjes së një llogarie bankare të lidhur me dy investitorë të projektit. Ai ngriti pyetjen nëse Jared Kushner do të kishte përfituar të njëjtat lehtësira në rast se nuk do të ishte dhëndri i presidentit amerikan.
Senatori e zgjeroi më tej kritikën e tij ndaj familjes Trump, duke përmendur investimet në Lindjen e Mesme, bizneset me kriptomonedha dhe projekte të tjera ndërkombëtare, për të argumentuar se familja e presidentit po përfiton nga lidhjet politike.
"Është një ishull i vogël dhe i bukur pranë bregdetit shqiptar që quhet Sazan dhe Jared Kushner e do atë. Ai mori miliardat saudite dhe vendosi që, së bashku me Ivanka Trump, të ndërtonte aty një resort luksoz. Vetëm pak javë pasi Donald Trump fitoi mandatin e dytë, kryeministri i Shqipërisë i dha kompanisë së Jared Kushner statusin e investitorit strategjik, duke përshpejtuar lejet dhe miratimet për projektin. Shqiptarët kanë dalë në protesta kundër kësaj marrëveshjeje dhe edhe SPAK-u është përfshirë në hetime. A do t’i kishte marrë Jared Kushner këto privilegje nëse nuk do të ishte dhëndri i presidentit?", deklaroi Ossoff gjatë aktivitetit elektoral në Savannah.
Deklaratat e senatorit demokrat vijnë në një kohë kur projekti i investimit në ishullin e Sazanit vijon të mbetet objekt debatesh në Shqipëri, ndërsa tashmë është shndërruar edhe në një temë të diskutimit politik në fushatën zgjedhore amerikane.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






