Transmetuar më 29-06-2026, 15:22

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga plagosja me armë zjarri e ndodhur mesditën e së hënës në Pogradec, ku mbeti i plagosur Brian Syzo. Hetuesit dyshojnë se ngjarja mund të jetë pasojë e një konflikti të hershëm mes dy familjeve, që daton më shumë se një vit më parë.

Sipas burimeve hetimore, autori i dyshuar është 24-vjeçari Nikolla Agolli, i cili u arrestua rreth një orë pas ngjarjes në Prrenjas, falë një operacioni të koordinuar mes Policisë së Pogradecit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

Nga hetimet paraprake rezulton se Agolli ka qëlluar me armë zjarri nga një automjet në lëvizje në drejtim të fuoristradës ku udhëtonte Brian Syzo. Për shkak të lartësisë së mjetit, plumbat kanë depërtuar përmes derës së automjetit, duke e plagosur Syzon në gjymtyrët e poshtme. Ai u transportua menjëherë në Spitalin e Pogradecit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Një nga pistat kryesore që po hetohet lidhet me një konflikt të ndodhur rreth një vit e gjysmë më parë. Sipas burimeve, në atë kohë Sindi Syzo, vëllai i Brian Syzos, dyshohet se hyri në një berberhane ku Nikolla Agolli po qethej dhe e goditi disa herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të shumta.

Hetuesit po verifikojnë nëse plagosja e sotme është kryer në shenjë hakmarrjeje për atë ngjarje. Megjithatë, motivi mbetet ende nën hetim dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit bëri me dije se:

"Rreth orës 13:15, në lagjen nr. 3, dyshohet se, gjatë një konflikti, shtetasi Nikolla Agolli, 24 vjeç, banues në Buçimas, Pogradec, ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin Brian Syzo, rreth 35 vjeç, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë së Pogradecit, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Prrenjas, kapën dhe shoqëruan autorin e dyshuar për veprime të mëtejshme procedurale."

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, administrimin e provave dhe sqarimin e motiveve që çuan në konfliktin e armatosur.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit