

Nikolla Agolli
Është publikuar fotografia e Nikolla Agollit, i dyshuari si autor i plagosjes me armë zjarri të ndodhur paraditen e kësaj të hëne në Pogradec, ku mbeti i plagosur Brian Syzo.
Pas ngjarjes, Agolli u largua nga vendi i krimit, duke vënë në lëvizje strukturat policore të Pogradecit dhe Elbasanit. Sipas burimeve, ai u lokalizua dhe u arrestua në Prrenjas, pas një operacioni të koordinuar mes Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se pas plagosjes, autori i dyshuar së bashku me persona të tjerë braktisi automjetin me të cilin lëvizte në zonën e Qafë Thanës. Më pas, ata dyshohet se u larguan me një furgon, në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se është shoqëruar edhe një person që dyshohet se ka qenë në shoqërinë e Agollit në momentin e plagosjes, ndërsa vijojnë kërkimet për persona të tjerë që mund të kenë ndihmuar autorin gjatë arratisjes.
Nga të shtënat mbeti i plagosur në këmbë Brian Syzo, i cili u transportua në Spitalin e Pogradecit, ku po merr ndihmën mjekësore. Sipas burimeve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Brian Syzo është një emër i njohur për policinë, pasi rezulton i hetuar më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, si edhe është përfshirë në disa konflikte të ndodhura në Pogradec.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe motivin e plagosjes, ndërsa pritet edhe një njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit për operacionin që çoi në arrestimin e autorit të dyshuar.

Brian Syzo
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






