

Policia ka arrestuar autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të ndodhur këtë të hënë në Pogradec, ku mbeti i plagosur Brian Syzo.
Burime bëjnë me dije se në pranga ka rënë Nikolla Agolli, i cili u lokalizua dhe u arrestua në Prrenjas, pas një operacioni të koordinuar mes Policisë së Pogradecit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Sipas të njëjtave burime, pas plagosjes Agolli dhe personat që ndodheshin me të janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ata kanë braktisur automjetin në zonën e Qafë Thanës dhe më pas janë larguar me një furgon, në përpjekje për t’iu shmangur policisë.
Falë koordinimit të strukturave policore dhe kontrolleve të ngritura në akset rrugore, autori i dyshuar u bë i mundur të lokalizohej dhe të arrestohej në Prrenjas.
Burimet konfirmojnë gjithashtu se policia ka ndaluar edhe një person tjetër, i cili dyshohet se ka qenë së bashku me Agollin në momentin e plagosjes. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në ngjarje.
I plagosuri, Brian Syzo, u qëllua në këmbë dhe u transportua në Spitalin e Pogradecit, ku po merr ndihmën mjekësore. Sipas burimeve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Brian Syzo është një emër i njohur për policinë, pasi ka precedentë penalë. Ai është hetuar më herët për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, si edhe është përfshirë disa herë në konflikte në qytetin e Pogradecit.
Policia dhe grupi hetimor po vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të plagosjes, ndërsa pritet edhe një njoftim zyrtar për operacionin dhe masat e marra ndaj të arrestuarve.
Pogradec / Informacion paraprak
Plagosi me armë zjarri një 35-vjeçar në Pogradec dhe u largua, kapet në Përrenjas pas disa minutash ndjekjeje nga Policia.
Rreth orës 13:15, në lagjen nr. 3, dyshohet se, gjatë një konflikti, shtetasi N. A., 24 vjeç, banues në Buçimas, Pogradec, ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin B. S., rreth 35 vjeç, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë së Pogradecit, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Përrenjas, kapën dhe po shoqërojnë në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, autorin e dyshuar të ngjarjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Brian Syzo

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






