

Një plagosje me armë zjarri është regjistruar këtë të hënë në Pogradec.
Sipas informacioneve paraprake, i plagosur në këmbë ka mbetur Brian Syzo, i cili u transportua menjëherë në Spitalin e Pogradecit, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Burime paraprake bëjnë me dije se autori i dyshuar i plagosjes është Nikolla Agolli, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon operacionin për kapjen e tij.
Sipas burimeve, është shoqëruar dhe ndaluar një person, i cili dyshohet se ka qenë së bashku me autorin në momentin e plagosjes. Ndërkohë, uniformat blu janë në kërkim edhe të autorit të dyshuar, si dhe të personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në ngjarje.
Mësohet se pas plagosjes, autori i dyshuar dhe personat që e shoqëronin kanë braktisur automjetin me të cilin lëviznin në zonën e Qafë Thanës dhe më pas janë larguar me një furgon, duke humbur gjurmët. Policia po punon për identifikimin dhe lokalizimin e tyre.
Brian Syzo është një emër i njohur për policinë, pasi ka precedentë penalë. Ai është hetuar më herët për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, si edhe është përfshirë disa herë në konflikte në qytetin e Pogradecit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të plagosjes, ndërsa pritet edhe një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






