

TIRANË – Vijojnë hetimet për vrasjen e dyshuar të shtetasit Eglant Koçi, ndërsa autoritetet po ndjekin disa pista lidhur me motivin e krimit dhe aktivitetin e viktimës.
I dyshuari kryesor për ngjarjen, Armand Shakaj, vijon të jetë në arrati. Sipas raportimeve, ai është pikasur në disa raste në zona të ndryshme të Tiranës, por ka arritur t’i shpëtojë ndjekjes së policisë.
Gazetarja Anila Hoxha ka raportuar se Prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë një hap të ri hetimor, duke i kërkuar Gjykatës Penale leje për të këqyrur katër kompjuterë të sekuestruar në ambientet e punës së të dyshuarit.
Sipas burimeve hetimore, një nga pistat kryesore që po shqyrtohet lidhet me transaksionet në kriptovaluta, një aktivitet me të cilin dyshohet se viktima është marrë prej kohësh. Autoritetet po verifikojnë nëse konflikte të mundshme financiare mund të kenë çuar në përshkallëzimin e ngjarjes.
Megjithatë, deri më tani, nga të dhënat paraprake rezulton se Eglant Koçi ka qenë një person me të ardhura modeste dhe me një jetë të përditshme të zakonshme, çka i bën hetimet më komplekse për të përcaktuar motivin e saktë të krimit.
Hetimet vijojnë, ndërsa policia dhe prokuroria po analizojnë çdo provë të sekuestruar për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






