Transmetuar më 29-06-2026, 12:11

TIRANË – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas mbledhjes së grupit socialist lidhur me deklaratat e deputetes Mariana Koçeku, e cila ka ngritur kritika për mungesë debati të brendshëm dhe mospranim të mendimit ndryshe në strukturat e partisë.

Në deklaratat e tij për mediat, Balla ka theksuar se nuk ka pasur më herët shenja pakënaqësie nga ana e deputetes, duke shtuar se gjatë bashkëpunimit ka marrë vetëm falënderime për mënyrën e drejtimit të grupit parlamentar.

“Nuk kam asnjë koment për këtë çështje, pasi gjatë gjithë kohës kam pasur vetëm falënderime nga ana e saj për mënyrën si drejtohet grupi parlamentar,” u shpreh Balla.

Duke vijuar reagimin e tij, ai theksoi se çështja e ngritur është e mbyllur politikisht dhe nuk ka më hapësirë për debat publik brenda grupit socialist.

“Kjo çështje është e ezauruar politikisht. Nuk do të hyj në komente që nuk sjellin asgjë të re në debat,” shtoi ai.

Debati vjen në një moment kur është diskutuar edhe largimi i deputetes nga grupi parlamentar socialist, si dhe tensionet e brendshme që janë reflektuar publikisht në radhët e mazhorancës.

Mazhoranca ndërkohë vijon punën parlamentare, ndërsa drejtuesit e PS-së kanë theksuar nevojën që diskutimet e brendshme të mos dalin në hapësirën publike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit