Transmetuar më 29-06-2026, 12:04

DURRËS – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Muhamet Rreshka, i dyshuar për përfshirje në një ngjarje të rëndë kriminale në Kavajë.

Çështja penale me nr. 439 është shqyrtuar në seancë gjyqësore më 28 qershor 2026, nën drejtimin e gjyqtarit të gatshëm Elvis Sulejmani.

Sipas vendimit të gjykatës, është vleftësuar si i ligjshëm arresti në flagrancë i personit nën hetim, i cili dyshohet për kryerjen e veprave penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, të parashikuara nga nenet 79/c dhe 279/2 të Kodit Penal.

Gjykata ka vendosur gjithashtu caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, në bazë të nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale, duke urdhëruar ekzekutimin e vendimit nga Prokuroria e Durrësit në bashkëpunim me policinë gjyqësore.

Ndaj vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit brenda 5 ditëve nga komunikimi i arsyetuar i vendimit.

Sipas të dhënave paraprake, ngjarja lidhet me vrasjen e Eqerem Rreshkës, ndërsa i dyshuari për krimin është identifikuar si Muhamet Rreshka. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë nga organet kompetente.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit