Transmetuar më 29-06-2026, 11:49

ITALI – Një 33-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në zonën e Padova, pasi gjatë një kontrolli në automjetin e tij u zbulua rreth 1 kilogram kokainë e fshehur në një ndarje të modifikuar.

Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur pasi një patrullë policie ka vënë re automjetin që po lëvizte me shpejtësi të lartë në zonën e Limenellës dhe e ka ndaluar për kontroll.

Gjatë verifikimeve, drejtuesi i mjetit është shfaqur i shqetësuar dhe nuk ka dhënë shpjegime të qarta për lëvizjen e tij, çka ka shtuar dyshimet e autoriteteve.

Në kontrollin e detajuar, policia ka konstatuar se konsola qendrore e automjetit ishte e modifikuar, duke zbuluar një mekanizëm elektronik që hapte një hapësirë të fshehtë ku ishte vendosur lënda narkotike.

Sipas hetimeve paraprake, sasia e sekuestruar – rreth 1 kilogram kokainë me pastërti të lartë – vlerësohet mbi 30 mijë euro në tregun me shumicë, ndërsa në tregun me pakicë mund të kapte vlera mbi 100 mijë euro.

33-vjeçari është arrestuar dhe është dërguar në burgun e Padovës, ndërsa ndaj tij kanë nisur edhe procedurat për heqjen e lejes së qëndrimit në Itali.

Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbuluar nëse ai vepronte i vetëm apo ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë trafiku droge.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit