Transmetuar më 29-06-2026, 11:38

TIRANË – Në Urgjencën Polivalente të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) paraqiten çdo ditë mbi 400 pacientë, duke e kthyer këtë strukturë në një nga më të ngarkuarat e sistemit shëndetësor në vend.

Sipas të dhënave të bëra publike, fluksi i pacientëve rritet ndjeshëm gjatë fundjavave, duke e shtuar edhe më shumë ngarkesën për stafin mjekësor.

Urgjenca funksionon 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, nën drejtimin e prof. dr. Edmond Zajmi, ku mjekë, infermierë dhe personel mbështetës ofrojnë shërbim të vazhdueshëm për rastet që paraqiten me probleme të ndryshme shëndetësore.

Autoritetet spitalore theksojnë se pas çdo pacienti që trajtohet qëndrojnë orë të gjata pune dhe një angazhim i vazhdueshëm i stafit për të garantuar kujdes shëndetësor në kohë dhe cilësi.

QSUNT vlerëson se Urgjenca Polivalente mbetet një nga njësitë me ngarkesën më të lartë në sistemin publik shëndetësor, ku përballen çdo ditë raste të ndryshme, nga emergjencat e lehta deri te situatat kritike.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e Urgjencës dhe të drejtohen në këtë shërbim vetëm në rastet që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, në mënyrë që të lehtësohet puna e ekipeve mjekësore dhe të përmirësohet menaxhimi i pacientëve në situata emergjente.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit