

KOSOVË – Një efektiv i Policisë së Kosovës ka humbur jetën në një aksident të rëndë të ndodhur mëngjesin e së hënës në pikën kufitare të Vërmicës (Morinë), ku është përfshirë një automjet që drejtohej nga një shtetas shqiptar.
Viktima është identifikuar si Rexhep Zenel Gashi, polic dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ka ndërruar jetë si pasojë e goditjes së marrë.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:40, kur efektivi dyshohet se është përplasur nga një automjet në rrethana ende të paqarta. Raportohet se ai kishte dalë për pak çaste jashtë detyrës, kur është goditur papritur nga makina.
Familjarët e tij kanë reaguar në rrjetet sociale, duke konfirmuar ngjarjen dhe duke ndarë detaje për humbjen e tij, ndërsa e kanë cilësuar atë si një figurë që kishte shërbyer edhe në radhët e UÇK-së.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se drejtuesi i automjetit, një shtetas nga Shqipëria, është ndaluar dhe po mbahet në mbajtje. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore, ndërsa vdekja e efektivit është konstatuar nga mjeku kujdestar.
Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit po vijojnë.
Familjarët kanë njoftuar se detaje për ceremoninë mortore do të bëhen të ditura në vijim.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta dhe tronditje në opinionin publik.:::
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






