

TIRANË – Pronarët e banesave, veçanërisht ata që zotërojnë apartamente në zonat me vlerën më të lartë të referencës në Tiranë, mund të përballen me një rritje të ndjeshme të taksës së ndërtesës nëse miratohet projektligji i ri për taksimin e pasurive të paluajtshme.
Përllogaritjet e publikuara nga Monitor, të bazuara në çmimet zyrtare të referencës dhe formulën e re të propozuar nga Ministria e Financave, tregojnë se efekti në faturën vjetore do të varet nga shkalla e taksës që do të vendosë Këshilli Bashkiak, si edhe nga vlera e pronës.
Dy skenarët e rinj të taksimit
Projektligji parashikon rritjen e shkallës së taksës për banesat nga niveli aktual 0.05% në një interval prej 0.1% deri në 0.2%.
Nëse miratohet niveli 0.2%, detyrimi vjetor për pronarët e banesave pritet të dyfishohet pothuajse në të gjitha zonat kadastrale të Tiranës.
Nëse zgjidhet niveli 0.1%, ndikimi do të jetë më i kufizuar. Rritje do të ketë kryesisht në zonat me çmimet më të larta të referencës, si ish-Blloku, zona pranë Piramidës dhe rruga "Myslym Shyri", ndërsa në pjesën më të madhe të zonave të tjera detyrimi mbetet i pandryshuar.
Sa rritet taksa në ish-Bllok?
Për një apartament me sipërfaqe 90 metra katrorë në zonën kadastrale 5/1 (ish-Blloku), me çmim reference 228,400 lekë/m², vlera fiskale e pronës arrin në 20,556,000 lekë.
Me formulën aktuale dhe taksën 0.05%, pronari paguan:
10,278 lekë në vit rreth 856 lekë në muaj
Nëse zbatohet shkalla 0.1%, pas zbritjes së pragut të patatueshëm prej 8.4 milionë lekësh, detyrimi rritet në:
12,156 lekë në vit rreth 1,013 lekë në muaj
Kjo përfaqëson një rritje prej 18.2%.
Në këtë rast nuk aplikohet zbritja prej 50% e vlerës së banesës, pasi prona ka një vlerë mbi dyfishin e pragut të patatueshëm për Tiranën (16.8 milionë lekë). Për këtë arsye zbritet vetëm pragu prej 8.4 milionë lekësh, mbi të cilin llogaritet taksa.
Nëse miratohet niveli 0.2%, detyrimi për të njëjtën banesë arrin në 20,556 lekë në vit, ose dyfishi i pagesës aktuale.
Rritje edhe në zonat me vlerë më të ulët
Efekti i formulës së re nuk kufizohet vetëm në zonat qendrore.
Për shembull, në zonën kadastrale 1/1, ku përfshihen Kinema "Ali Demi", Fusha e Sportit, Shkoza dhe Depoja e Ujit, një apartament me të njëjtat karakteristika paguan aktualisht 4,626 lekë në vit.
Nëse taksa miratohet në nivelin 0.2%, pagesa rritet në 9,252 lekë në vit, duke u dyfishuar.
Si llogaritet sot taksa e ndërtesës?
Që nga gushti i vitit 2023, familjet në Tiranë kanë paguar më shumë për taksën e ndërtesës pas rritjes së çmimeve fiskale të referencës, të miratuara nga Ministria e Financave.
Formula aktuale llogarit taksën mbi vlerën fiskale të pronës, e cila përcaktohet sipas çmimeve të referencës.
Aktualisht:
për banesat aplikohet taksa 0.05%; për njësitë tregtare 0.2%.
Taksa paguhet përmes faturës së ujit të pijshëm.
Sipas përllogaritjeve, një familje në zonën e Freskut ka paguar që nga gushti 2023 rreth 198 lekë më shumë në muaj, ndërsa detyrimi vjetor është rritur nga 1,680 në 2,376 lekë, ose 41% më shumë.
Nëse miratohet shkalla 0.2%, kjo familje do të paguajë rreth 4,681 lekë në vit.
Si ndryshon formula e re?
Përveç rritjes së normës së taksimit, projektligji propozon edhe një metodë të re për llogaritjen e detyrimit.
Për banesën e parë parashikohet që 50% e vlerës së pronës të konsiderohet e patatueshme, por vetëm nëse vlera e saj nuk kalon dyfishin e pragut maksimal të përjashtimit.
Për Bashkinë e Tiranës ky prag është propozuar në 8.4 milionë lekë, çka do të thotë se zbritja 50% përfitohet vetëm për banesat me vlerë deri në 16.8 milionë lekë.
Nëse prona ka një vlerë më të lartë se ky kufi, qytetari nuk përfiton më zbritjen prej 50%, por vetëm zbritjen fikse prej 8.4 milionë lekësh, mbi të cilën llogaritet taksa.
Zonat kadastrale që përfshihen në përllogaritje
Përllogaritjet janë bërë për të gjitha 32 zonat kadastrale të Bashkisë së Tiranës, ku përfshihen zona si Piramida, Pazari i Ri, Myslym Shyri, ish-Blloku, Komuna e Parisit, Liqeni Artificial, Don Bosko, Lapraka, Ali Demi, Shkoza, Selita, Kombinati, Yzberishti, Alliasi, Kinostudio, Medreseja, Zogu i Zi dhe shumë zona të tjera të kryeqytetit.
Sipas analizës, ndikimi më i madh i reformës do të ndihet në zonat me çmime të larta reference, ndërsa për banesat me vlerë më të ulët efekti do të varet nga niveli i taksës që do të miratohet përfundimisht nga pushteti vendor.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






