

Tiranë, 29 qershor – Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 84 mijë lekë gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje nga 77.4 mijë lekë që ishte një vit më parë. Megjithatë, diferencat mes sektorëve të ekonomisë mbeten të konsiderueshme, me disa profesione që ofrojnë paga mbi dyfishin e mesatares kombëtare.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT dhe të analizuara nga Monitor, vendin e parë për nivelin më të lartë të pagave e mbajnë institucionet ndërkombëtare, ku paga mesatare mujore bruto arriti në 189 mijë lekë, ose afro 2 mijë euro. Krahasuar me vitin 2024, pagat në këtë sektor u rritën me 4%.
Në vendin e dytë renditet sektori i aktiviteteve financiare dhe sigurimeve, ku punonjësit përfituan mesatarisht 160 mijë lekë në muaj, me një rritje prej 6.7% krahasuar me një vit më parë. Ky sektor regjistroi gjithashtu rritjen më të madhe të pagës në vlerë absolute, me mbi 10 mijë lekë më shumë se në vitin 2024.
Edhe sektori i informacionit dhe komunikacionit (IT) vijon të jetë ndër më të paguarit në vend. Paga mesatare në këtë aktivitet arriti në 127.4 mijë lekë, duke u rritur me 8.9% në raport me një vit më parë.
Ndër sektorët me paga të larta renditen gjithashtu industria nxjerrëse, me një pagë mesatare prej 109 mijë lekësh, si dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, ku paga mesatare arriti në 105 mijë lekë në muaj.
Ndërkohë, pagat në administratën publike kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë tre viteve të fundit. Në vitin 2025, paga mesatare në sektorin e administrimit publik dhe mbrojtjes arriti në 104.5 mijë lekë, nga 72.5 mijë lekë që ishte në vitin 2022, duke reflektuar një rritje prej 44%.
Mbi nivelin e 100 mijë lekëve u pozicionua edhe sektori i furnizimit me energji elektrike, gaz dhe avull, me një pagë mesatare prej 102.7 mijë lekësh, ndërsa arsimi iu afrua këtij pragu me 99.3 mijë lekë në muaj.
Edhe shëndetësia ka regjistruar rritje të ndjeshme të pagave, me një mesatare prej 92 mijë lekësh, krahasuar me 68 mijë lekë në vitin 2022.
Rritje të forta janë evidentuar edhe në sektorët e pasurive të paluajtshme, ku paga mesatare arriti në 84 mijë lekë, si dhe në ndërtim, ku paga mesatare u rrit në 69 mijë lekë.
Nga ana tjetër, akomodimi dhe shërbimet e ushqimit, pavarësisht rritjes së pagave si pasojë e kërkesës së lartë për punonjës në turizëm, mbeten ndër sektorët me pagat më të ulëta në vend, me një mesatare prej 56.4 mijë lekësh në muaj. Më pak paguhen vetëm punonjësit në bujqësi, me një pagë mesatare prej 55.5 mijë lekësh.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






