

Guadalajara, 29 qershor – Trajneri i Kombëtares së Koresë së Jugut, Hong Myung-Bo, ka dhënë dorëheqjen vetëm 24 orë pasi u konfirmua eliminimi i ekipit nga faza e grupeve të Kupës së Botës FIFA 2026.
Tekniku korean doli para mediave në Guadalajara, ku ndodhej së bashku me ekipin, dhe njoftoi vendimin e tij përmes një deklarate, pa pranuar pyetje nga gazetarët.
"Para së gjithash, dua t’u kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve që gjithmonë kanë mbështetur ekipin kombëtar. Sot kam vendosur të largohem nga posti i trajnerit të Kombëtares së Republikës së Koresë", deklaroi Hong.
Ai theksoi se drejtimi i ekipit kombëtar ishte një përgjegjësi e madhe dhe se gjatë dy viteve të fundit çdo vendim ishte marrë me bindjen se ishte në interesin më të mirë të futbollit korean.
"Nuk mund të them se çdo vendim ishte i duhuri, por mund të siguroj se të gjitha janë marrë duke menduar për të mirën e futbollit korean. Kur rezultatet nuk janë në nivelin e pritshmërive, përgjegjësia i takon trajnerit dhe unë e pranoj plotësisht atë", u shpreh ai.
Koreja e Jugut nisi Botërorin me fitore ndaj Republikës Çeke, por humbjet ndaj Meksikës dhe Afrikës së Jugut i kushtuan eliminimin. Shpresat për kualifikim si një nga ekipet më të mira të vendeve të treta u shuan pas rezultateve të ndeshjeve të tjera të grupit.
Hong mori përgjegjësinë për dështimin e ekipit për të përsëritur suksesin e Botërorit 2022, kur koreano-jugorët arritën të kalonin fazën e grupeve përpara se të eliminoheshin në 1/16-at e finales.
Edhe zëvendëspresidenti i Federatës Koreane të Futbollit, Park Hang-Seo, kërkoi ndjesë publike në emër të institucionit, duke pranuar se kombëtarja nuk arriti të përmbushte pritshmëritë e tifozëve.
"Lojtarët, stafi teknik dhe i gjithë personeli dhanë maksimumin, por rezultatet nuk ishin ato që prisnim. Tani është koha për një reflektim të thellë dhe për të ndërtuar të ardhmen e futbollit korean mbi baza më të forta", deklaroi ai.
Kjo është hera e dytë që Hong Myung-Bo largohet nga drejtimi i kombëtares menjëherë pas një Botërori. Edhe pas Kupës së Botës 2014 ai dha dorëheqjen, pas një tjetër fushate zhgënjyese të Koresë së Jugut.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






