

Himarë, 29 qershor – Katër turistë u shpëtuan pas një operacioni të ndërlikuar kërkim-shpëtimi në Kanionet e Gjipesë, pasi mbetën të bllokuar në një greminë gjatë një eksplorimi në terrenin e vështirë. Njëri prej tyre pësoi fraktura dhe u transportua me barrelë drejt ndihmës mjekësore.
Ngjarja ndodhi mesditën e së dielës, kur grupi i turistëve humbi mundësinë për t’u larguar nga zona dhe kërkoi ndihmë përmes sinjalit SOS. Menjëherë në vendngjarje u angazhuan efektivët e Stacionit të Policisë së Dhërmiut dhe shërbimet zjarrfikëse të Bashkisë Himarë.
Për shkak të terrenit tepër të vështirë dhe gjendjes së njërit prej turistëve, operacionit iu bashkuan edhe forcat "Delta" të Policisë në Vlorë, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, një grup alpinistësh, ekipet mjekësore, si dhe një helikopter i Forcave të Armatosura.
Pas disa përpjekjeve nga ajri, rreth orës 20:00 helikopteri arriti të nxirrte dy turistët e parë në gjendje të mirë shëndetësore. Megjithatë, për shkak të errësirës dhe kushteve të vështira të terrenit, pjesa e mbetur e operacionit vijoi nga toka.
Rreth orës 23:15, ekipet e shpëtimit arritën të evakuonin edhe dy turistët e tjerë. Njëri prej tyre, i cili kishte pësuar fraktura, u transportua me barrelë drejt shërbimeve mjekësore.
Ky është rasti i dytë brenda 48 orëve në Kanionet e Gjipesë ku turistët hasin vështirësi serioze gjatë eksplorimit të zonës. Vetëm pak ditë më parë, dy turistë rumunë, babë e bijë, mbetën të bllokuar në të njëjtën zonë dhe pësuan fraktura, duke kërkuar ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






