

Tiranë – Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka reaguar me një mesazh të drejtpërdrejtë drejtuar kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar që të mos tërhiqet nga posti i tij nëse përballet me presion politik dhe protesta.
Në një postim publik, Spaho argumenton se një dorëheqje e mundshme e Ramës, në kushtet aktuale politike, do të sillte pasoja negative për vendin dhe stabilitetin institucional.
Ai shprehet kritik ndaj protestave në zhvillim, të cilat i cilëson si përçarëse dhe të ndikuara nga agjenda të ndryshme politike dhe ideologjike, duke i konsideruar ato të dëmshme për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Spaho thekson gjithashtu se përgjegjësia për situatën politike nuk duhet të shmanget, por sipas tij ndryshimi i pushtetit në këtë moment nuk do të ishte zgjidhje, por do të krijonte pasiguri të mëtejshme.
Deklarata e tij vjen në një moment tensionesh politike dhe protestash të vazhdueshme në Tiranë, ku opozita dhe qytetarë të ndryshëm kërkojnë ndryshime në qeverisje.
Postimi i Spahos
Edi Rama,
Kjo nuk është protestë për të lëpirë dhe pickuar vajza e djem të sinqertë në bulevard.
Këtij populli i ke bërë deme të pafund. Në një vend me shoqëri me formim demokratik do kishe ikur me kohë.
Dëmi më i madh që do i bëje ketij vendi nuk janë e shkuara jote, por nëse do të ikje nga presioni i kësaj proteste neomarksiste, islamisto-fondamentaliste, antitrampiste, përçarëse midis shqiptarëve në rajon dhe kunder integrimit të Shqipërisë në BE.
Kujto që dëmi që do i besh vendit, duke e lënë atë në duart e atyre që duan ta zgjedhin qeverinë me short dhe hienave politike që presin të kapin çfarë të kapin, do jetë i tillë që ti nuk do i shpëtosh përgjegjësisë edhe kur ndoshta të mos jesh në këtë botë.
Meqënëse po flet për sinqeritet në bulevard, kujto ëndrat-makth të personazhit të Kadaresë tek Dimri i Vetmisë së Madhe.
Nëse çedon, mos u habit që mund të vijë një ditë që eshtrat e tua t’i tërheqin zvarre në bulevard si në endrrat e atij "reaksionarit".
Në krye te bulevardit ndonjë trashegimtar i Mark Zavalines do i bjerë violinës.
Duket si fantazi e sëmurë, por ata qe janë të interesuar që ky vend të bëje përpara dhe jo pas, nuk do ta falin nëse çedon nga kjo protestë, synimi i të cilës është ta kthejë vendin një shekull prapa.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






