

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet e ditëve të fundit për ndërhyrjet në Banjat Termale të Bënjës, ku është pretenduar se zona është dëmtuar dhe betonizuar.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama publikoi pamje nga ndërhyrjet e kryera rreth 10 vite më parë, duke theksuar se në zonë nuk janë hequr apo dëmtuar mure antike, por është realizuar një sistemim i mëparshëm i infrastrukturës së llixhave.
Sipas tij, muret e dikurshme të dëmtuara janë rindërtuar dhe veshur me gurë gjatë procesit të rikualifikimit, në kuadër të projektit për zhvillimin turistik të zonës.
Kryeministri i cilësoi akuzat e ngritura në media dhe nga kritika politike si të pabazuara, duke i lidhur ato me “debat politik dhe narrativa të deformuara”.
Ndërhyrjet në Bënjë janë pjesë e projektit “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e fluksit turistik në një nga zonat natyrore më të vizituara pranë Përmetit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






