

Policia e Shtetit ndërhyri mëngjesin e kësaj të diele për të larguar protestuesit që kishin kaluar natën përpara godinës së Kryeministrisë, ku prej rreth një jave zhvillohen tubime kundër qeverisë me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas informacioneve paraprake, në operacion morën pjesë rreth 100 efektivë policie, të cilët larguan protestuesit nga zona dhe më pas pastruan hapësirën përpara godinës.
Gjatë ndërhyrjes u hoqën edhe këpucët e vendosura në shkallët e Kryeministrisë, një instalacion simbolik që protestuesit e kishin përdorur për të përfaqësuar emigrimin e të rinjve dhe mungesën e perspektivës në vend. Veprimi shkaktoi reagime nga disa qytetarë të pranishëm, ndërsa u regjistruan edhe tensione verbale mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Më tej, efektivët sekuestruan disa stola metalikë të vendosur në ambientet e protestës, të cilët sipas organizatorëve përdoreshin si pjesë e strukturës së improvizuar të tubimit.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vijojë edhe gjatë ditës së sotme, duke e cilësuar atë si tubimin e 29-të radhazi. Ata kanë përsëritur se kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe kanë ftuar qytetarët t’u bashkohen protestës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






