

KORÇË – Drejtori i Policisë së Korçës, Vilson Bala, së bashku me dy zëvendësdrejtorët, kanë dëshmuar në Prokurori lidhur me planin operacional për kapjen e shtetasit në kërkim Violant Braçellari, gjatë të cilit humbi jetën efektivi i policisë Enea Mekolli.
Në dëshminë e tij, Bala ka deklaruar se është njoftuar fillimisht nga shefi i Komisariatit të Maliqit për një kallëzim të bërë nga një shtetas, i cili pretendonte se nuk ishte paguar për punën e tij si çoban dhe se ishte kanosur me armë zjarri nga Braçellari, i shpallur në kërkim për trafik narkotikësh.
Sipas drejtorit të policisë, pas këtij njoftimi është organizuar një takim në ambientet e Policisë së Korçës, ku janë diskutuar masat për kapjen e të dyshuarit dhe është hartuar plani operacional.
Bala ka sqaruar se forcat policore janë ndarë në dy grupe: njëri grup, i përbërë nga zëvendësdrejtorët, shefi i Komisariatit të Maliqit dhe efektivë të “Shqiponjave”, do të afrohej nga aksi Maliq–Lozhan–Bodë, ndërsa grupi tjetër, ku përfshihej edhe ai vetë, do të lëvizte nga aksi Korçë–Voskopojë–Bodë.
Sipas dëshmisë, sapo forcat janë afruar pranë një stani në zonë, janë dëgjuar të shtëna armësh automatike. Efektivët kanë vijuar lëvizjen në drejtim të vendngjarjes dhe, pas mbërritjes, kanë konstatuar se një punonjës policie kishte humbur jetën, ndërsa një tjetër kishte mbetur i plagosur.
Drejtori i policisë ka deklaruar gjithashtu se për këtë operacion nuk është kërkuar ndërhyrja e forcave RENEA, me argumentin se i kërkuari ishte person në hetim për vepra narkotike dhe jo për krime kundër jetës, ndërsa më herët nuk ishin raportuar incidente me armë ndaj policisë nga ana e tij.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa Prokuroria po administron dëshmitë e drejtuesve dhe efektivëve të përfshirë në operacion.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






