

TIRANË – Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje botimit "The Albanian Files", duke e cilësuar të padrejtë kritikën ndaj tij dhe duke akuzuar atë që e quajti "inkuizicion" të nxitur nga protestat për mbrojtjen e mjedisit.
Në podcast-in e tij "Flasim", Rama u shfaq me librin në dorë dhe theksoi se ai nuk është autor apo botues i këtij projekti, por vetëm autor i parathënies, me ftesë të botuesve.
Sipas kreut të qeverisë, "The Albanian Files" është një projekt editorial i pavarur që përmbledh punët, projektet dhe reflektimet e 60 arkitektëve dhe studiove me reputacion ndërkombëtar, të cilët kanë kontribuar në zhvillimin urban dhe arkitekturor të Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit.
"Ky nuk është libri im dhe nuk është botuar prej meje. Unë kam shkruar vetëm parathënien, me krenarinë që më është dhënë mundësia ta bëj si kryeministër i Shqipërisë. Është një projekt editorial tërësisht i pavarur, me kontributet e studiove që kanë punuar në vendin tonë gjatë 20 viteve të fundit," u shpreh Rama.
Kryeministri kritikoi sulmet ndaj botimit, duke i cilësuar ato si një "inkuizicion" që, sipas tij, buron nga "fryma e bulevardit" dhe synon të diskreditojë një grup arkitektësh me emër në skenën ndërkombëtare.
Ai vlerësoi kontributin e tyre në transformimin urban të vendit, duke theksuar se prania e studiove prestigjioze në Shqipëri krijon mundësi për formimin profesional të brezave të rinj të arkitektëve dhe urbanistëve shqiptarë.
Rama shtoi se pjesëmarrësit në botim kanë gëzuar liri të plotë editoriale për të shprehur idetë dhe reflektimet e tyre, ndërsa theksoi se edhe titulli "The Albanian Files" është konceptuar me një dozë ironie.
"Është një titull që luan me simbolikën e një Shqipërie që vjen nga koha e dosjeve, ndërkohë që sot dosjet janë të gjitha të hapura", deklaroi kryeministri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






