Transmetuar më 28-06-2026, 09:19

TIRANË – Kostoja e jetesës në kryeqytetin shqiptar vijon të ushtrojë presion të lartë mbi buxhetet familjare. Sipas një raporti të publikuar nga Tradingpedia, Tirana renditet si qyteti i dytë më i shtrenjtë në Europë për sa i përket raportit mes të ardhurave dhe shpenzimeve të një familjeje.

Studimi, i cili analizoi 37 kryeqytete europiane, tregon se një familje me katër anëtarë, ku punojnë dy të rritur me pagë mesatare, shpenzon rreth 89% të të ardhurave mujore për të përballuar kostot bazë të jetesës.

Sipas raportit, paga mesatare neto në Shqipëri llogaritet në 760 euro në muaj për person. Duke supozuar se të dy të rriturit janë të punësuar, të ardhurat familjare arrijnë në 1,520 euro në muaj, ndërsa shpenzimet mujore për një familje me katër persona vlerësohen në rreth 1,353 euro.

Në renditje, Tirana pozicionohet menjëherë pas Lisbonës, e cila kryeson listën si kryeqyteti më i shtrenjtë në Europë në raport me të ardhurat e familjeve.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria rezulton të ketë një barrë më të lartë financiare për familjet. Në Shkup, ku paga mesatare neto është 769 euro, një familje me katër persona shpenzon rreth 1,037 euro në muaj, ose 67% të të ardhurave.

Në Beograd, paga mesatare neto arrin në 1,081 euro, ndërsa shpenzimet mujore llogariten në 1,478 euro, duke përfaqësuar rreth 68.2% të të ardhurave familjare. Edhe në Podgoricë, paga mesatare neto është më e lartë se në Shqipëri, rreth 883 euro në muaj, ndërsa shpenzimet mujore për një familje mbeten më të ulëta, në rreth 1,077 euro.

Raporti nuk përfshin të dhëna për Kosovën.

Në anën tjetër të renditjes, Brukseli rezulton qyteti më i përballueshëm për jetesë. Atje, paga mesatare neto mujore është 2,945 euro për person, ndërsa shpenzimet për një familje me katër anëtarë arrijnë në 2,653 euro, ose rreth 45% të të ardhurave.

Studimi i Tradingpedia vlerëson përballueshmërinë e jetesës duke krahasuar pagat mesatare neto me shpenzimet mujore të familjeve, në një kohë kur inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës vijojnë të ndikojnë në ekonomitë europiane.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit