Transmetuar më 28-06-2026, 08:49

VENEZUELË – Një djalë 11-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat në qytetin Caraballeda, tre ditë pas tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën, duke shkaktuar qindra viktima dhe dëme të mëdha materiale.

Fëmija, i identifikuar si Moises, u shpëtua pas një operacioni të gjatë kërkim-shpëtimi nga ekipi USAR Colombia 1, në bashkëpunim me zjarrfikësit e qytetit të Bogotës. Ai kishte qëndruar i bllokuar nën rrënoja për më shumë se 70 orë.

Pamjet e publikuara nga presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, tregojnë momentin kur ekipet e shpëtimit e transportojnë 11-vjeçarin me barelë drejt ndihmës mjekësore.

"Pak minuta më parë, një djalë 11-vjeçar u shpëtua në Caraballeda. Në këtë moment, çdo jetë është një burim shprese për Venezuelën", shkroi Rodríguez në një postim në rrjetin social X, duke publikuar edhe videon e operacionit të shpëtimit.

Sipas mediave vendase, tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 kanë shkaktuar deri tani vdekjen e të paktën 1,430 personave, ndërsa bilanci pritet të rëndohet.

Autoritetet bëjnë të ditur se mbi 50 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën pa ndërprerje në zonat më të goditura nga fatkeqësia natyrore.

Ndërkohë, dëmet ekonomike të shkaktuara nga dy tërmetet vlerësohen në rreth 7 miliardë dollarë, ekuivalente me afro 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Venezuelës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit