Transmetuar më 28-06-2026, 08:45

DONBAS – Luftimet në lindje të Ukrainës vijojnë të rëndojnë situatën humanitare, ndërsa banorët e qyteteve pranë vijës së frontit përballen çdo ditë me rrezikun e sulmeve dhe me vendimin e vështirë për të braktisur shtëpitë e tyre.

Fotoreporteri i pavarur Oleksandr Stepanov, gjatë një misioni me agjencinë Reuters në Druzhkivka, dokumentoi pasojat e sulmeve të fundit me dronë në qytetin që ndodhet rreth 15 kilometra nga vija e frontit, pranë Kostjantinivkës, ku forcat ruse po intensifikojnë përpjekjet për ta rrethuar.

Sipas tij, civilët jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të bombardimeve. Një nga sulmet goditi një ndërtesë banimi, ndërsa pak më vonë ai hasi në një automjet të dalë nga rruga, brenda të cilit ndodheshin trupat e pajetë të një çifti bashkëshortësh.

"Makina ishte goditur nga një dron në anën e pasagjerit. Ata humbën jetën në vend. Kishin vendosur shirita të bardhë në automjet, duke shpresuar se do t’i mbronin nga sulmet, por kjo nuk mjaftoi," rrëfeu Stepanov.

Fotoreporteri shoqëroi njësinë policore ukrainase "Engjëjt e Bardhë", e cila është përgjegjëse për evakuimin e civilëve nga zonat më të rrezikuara pranë frontit, përfshirë edhe fëmijët, për të cilët në disa rajone evakuimi është bërë i detyrueshëm.

Megjithatë, jo të gjithë pranojnë të largohen. Gjatë një misioni më 22 qershor, një çift i moshuar refuzoi evakuimin, pasi, sipas tyre, kërkesa ishte bërë pa dijeninë e tyre dhe ata dëshironin të qëndronin në shtëpi.

Punonjësi humanitar Yevhen Tkachov shpjegon se banorët që vazhdojnë të jetojnë pranë vijës së frontit ndahen kryesisht në dy kategori: ata që presin mbërritjen e forcave ruse dhe ata që nuk janë të gatshëm të braktisin shtëpitë dhe jetën që kanë ndërtuar ndër vite.

Edhe qytete si Kramatorsku, ndonëse ndodhen pranë zonës së luftimeve, vazhdojnë të ruajnë njëfarë normaliteti. Tregjet dhe dyqanet funksionojnë, ndërsa banorët përpiqen të vazhdojnë jetën e përditshme mes sirenave dhe shpërthimeve.

Një nga momentet më prekëse të dokumentuara ishte largimi i një banori të Druzhkivkës, i cili, para evakuimit, iu dha lamtumirën qenit të tij, duke ia besuar një organizate për mbrojtjen e kafshëve.

Një tjetër banore, e evakuuar më 22 qershor, tha se sulmet me dronët FPV dhe dronët "Shahed" e kanë bërë jetën në qytet të pamundur, por shprehu besimin se një ditë do të rikthehet.

"Nuk dua të jetoj në një vend të huaj. Lufta do të përfundojë dhe unë do të kthehem në shtëpi", u shpreh ajo.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit