

Argjentina vazhdon marshimin perfekt në Kupën e Botës 2026. Kampionët në fuqi fituan me lehtësi 3-1 ndaj Jordanisë në ndeshjen e tretë të Grupit 10, siguruan vendin e parë me pikë të plota dhe konfirmuan edhe një herë se janë ndër favoritët kryesorë për fitimin e trofeut.
Edhe pse Lionel Messi nuk e nisi sfidën si titullar dhe u aktivizua vetëm në minutën e 60-të, ai arriti sërish të lërë gjurmën e tij. Superylli argjentinas realizoi një gol spektakolar me goditje dënimi në minutën e 80-të, duke elektrizuar tifozët dhe duke vazhduar të shkruajë histori.
39-vjeçari ka shënuar tashmë në të tre ndeshjet e fazës së grupeve dhe kryeson listën e golashënuesve të Botërorit 2026 me gjashtë gola. Njëkohësisht, ai është golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës me 19 gola.
Me këtë fitore, Argjentina e mbylli grupin me nëntë pikë dhe në fazën e 1/32-ve do të përballet me Kepin e Gjelbër. Jordania, nga ana tjetër, u eliminua nga turneu pasi regjistroi tre humbje në po aq ndeshje.
Argjentina e zgjidhi ndeshjen që në pjesën e parë
Diferenca në cilësi mes dy skuadrave ishte e dukshme që në minutat e para. Argjentina dominoi lojën dhe krijoi vazhdimisht raste, ndërsa Jordania nuk arriti të përballonte ritmin e kampionëve të botës.
Në minutën e 7-të, Giovani Lo Celso dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Mesfushori argjentinas nuk u dorëzua dhe në minutën e 19-të realizoi një gol të bukur me goditje dënimi, duke kaluar Argjentinën në avantazh 1-0.
Në minutën e 30-të, arbitri Istvan Kovacs akordoi penallti për Argjentinën pas ndërhyrjes së Al Rashdan, vendim që u konfirmua pas konsultimit me VAR. Në të njëjtën fazë, Lautaro Martinez kishte goditur shtyllën. Vetë sulmuesi argjentinas ekzekutoi saktë penalltinë një minutë më vonë, duke dyfishuar shifrat në 2-0.
Argjentina krijoi edhe raste të tjera të pastra deri në fund të pjesës së parë, por rezultati mbeti 2-0.
Jordania shkurton diferencën, por Messi vulos gjithçka
Edhe pjesa e dytë nisi me dominimin e Argjentinës. Në minutën e 48-të, Lo Celso shënoi përsëri, por edhe ky gol u anulua, pasi Lautaro Martinez ishte në pozicion jashtë loje në momentin e asistit.
Pesë minuta më vonë, Lautaro goditi traversën me një tjetër rast të rrezikshëm.
Në minutën e 55-të, Jordania përfitoi nga një moment përgjumjeje i mbrojtjes argjentinase dhe Al Tamari ngushtoi rezultatin në 2-1.
Në minutën e 60-të, trajneri Lionel Scaloni vendosi të aktivizonte Lionel Messin në vend të Lautaro Martinez. Futja në fushë e kapitenit u prit me ovacione të jashtëzakonshme nga tifozët.
Kulmi i spektaklit erdhi në minutën e 80-të. Messi ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke vulosur fitoren 3-1. Goli i tij ngriti në këmbë të gjithë stadiumin dhe ishte edhe një tjetër moment magjik nga këmbët e "pleshtit" argjentinas.
Çelësi i ndeshjes
Goli i hershëm i Lo Celsos i dha Argjentinës kontrollin e plotë të sfidës dhe e bëri shumë më të lehtë menaxhimin e lojës deri në fund.
MVP
Giovani Lo Celso ishte lojtari më i mirë i ndeshjes. Mesfushori zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, shënoi golin e parë dhe ishte vazhdimisht i rrezikshëm në fazën sulmuese.
Arbitri
Rumuni Istvan Kovacs zhvilloi një paraqitje të mirë, duke administruar pa probleme një ndeshje pa polemika të mëdha.
Golashënuesit
55′ Al Tamari (Jordani)
Për Argjentinën:
19′ Lo Celso
31′ Lautaro Martinez (penallti)
80′ Lionel Messi
Formacionet
Argjentina: Emiliano Martinez, Simeone (71′ Barco), Otamendi, Senesi, Tagliafico, Lo Celso (60′ Almada), Palacios, Paredes, Paz (61′ Mac Allister), Julian Alvarez (82′ Lopez), Lautaro Martinez (60′ Messi).
Jordania: Aboulaila, Nasib, Al Arab, Abu Dhahab (90′ Obaid), Haddad, Al Rashdan, Al Rawabdeh, Abu Taha, Fakouri (46′ Al Mardi), Olwan (60′ Sararah), Azaizeh (46′ Al Tamari).
Rezultatet e Grupit 10
Java e parë
Argjentinë – Algjeri 3-0
Austri – Jordani 3-1
Java e dytë
Argjentinë – Austri 2-0
Jordani – Algjeri 1-2
Java e tretë
Jordani – Argjentinë 1-3
Algjeri – Austri 3-3
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






