

Kufijtë dhe rregullat e reja: Ja si ndryshon kalimi për të miturit, VIP-at dhe transportin ndërkombëtar
Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë të re, të plotë rregullash që ndryshon mënyrën e verifikimit në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë. Vendimi i ri shfuqizon aktet e mëparshme të viteve 2016 dhe 2023, duke harmonizuar legjislacionin shqiptar me Kodin e Kufijve Shengen të Bashkimit Evropian.
Rregullorja e re përcakton qartë kategoritë që përfitojnë kalim të përshpejtuar përmes korsive të gjelbra, mënyrën e kontrollit të mjeteve të transportit, si dhe vendos masa më të forta sigurie për udhëtimin e të miturve jashtë vendit, me synim parandalimin e trafikimit, rrëmbimit dhe braktisjes së fëmijëve.
Filtra më të fortë për udhëtimin e të miturve
Një nga ndryshimet më të rëndësishme të vendimit lidhet me procedurat e reja për personat nën moshën 18 vjeç.
Fëmijët nën 16 vjeç
Të miturit nën moshën 16 vjeç do të mund të kalojnë kufirin vetëm të shoqëruar nga një person madhor dhe me deklaratë noteriale të firmosur nga të dy prindërit ose nga prindi që ushtron kujdestarinë ligjore.
Në rastet kur deklarata hartohet jashtë territorit të Shqipërisë, ajo duhet të jetë e përpiluar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht.
Të rinjtë nga 16 deri në 18 vjeç
Personat e kësaj grupmoshe mund të udhëtojnë edhe të pashoqëruar, për shembull për vizita tek të afërmit apo për pjesëmarrje në aktivitete sportive dhe kulturore. Megjithatë, edhe në këtë rast kërkohet deklaratë noteriale nga prindërit, ku duhet të përcaktohet adresa e saktë e pritësit dhe garancia se i mituri nuk do të braktiset jashtë vendit.
Prindërit e divorcuar
Kur prindërit janë të divorcuar, personi që shoqëron të miturin duhet të paraqesë deklaratën noteriale të të dy prindërve ose vendimin përfundimtar të gjykatës që përcakton kujdestarinë. Të dhënat e këtij vendimi do të regjistrohen tashmë elektronikisht në sistemin TIMS.
Kompetenca të zgjeruara për Policinë Kufitare
Vendimi i ri i jep Policisë Kufitare të drejtën të ndalojë kalimin edhe në rastin më të vogël të dyshimit.
Roja kufitare mund të zhvillojë një intervistë të shkurtër me shoqëruesin, të kryejë verifikime të hollësishme të dokumentacionit dhe të sigurohet që i mituri nuk po largohet jashtë vendit kundër vullnetit të prindërve ose kujdestarit ligjor, me qëllim parandalimin e rrëmbimit apo trafikimit.
Në rast se konstatohet braktisja e një të mituri në një shtet tjetër, njoftohen menjëherë Prokuroria, Agjencia për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe autoritetet homologe ndërkombëtare.
Kush përfiton kalim të përshpejtuar?
Vendimi përcakton edhe kategoritë që kalojnë kufirin me procedura të lehtësuara dhe pa detyrimin për të provuar mjetet e mjaftueshme financiare.
Në këtë kategori përfshihen:
Krerët e shteteve, qeverive dhe parlamenteve;
Anëtarët e familjeve mbretërore;
Mbajtësit e pasaportave diplomatike;
Përfaqësuesit e OKB-së, Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Ata do t’i nënshtrohen vetëm verifikimeve minimale, bazuar në njoftimet zyrtare.
Në raste krizash ose konfliktesh ushtarake, trupat dhe asetet e NATO-s do të kalojnë me procedura të përshpejtuara ose me përjashtime të plota nga kontrollet standarde.
Prioritet do të kenë gjithashtu ekipet e kërkim-shpëtimit, zjarrfikësit dhe efektivët e policisë gjatë kryerjes së detyrës.
Edhe qytetarët që kalojnë kufirin çdo ditë për arsye pune dhe janë të regjistruar në sistem do t’i nënshtrohen kontrolleve të thjeshtuara.
Si do të kontrollohen mjetet e transportit?
Vendimi standardizon procedurat sipas llojit të transportit.
Autoveturat
Pasagjerët do të qëndrojnë brenda automjetit gjatë kontrollit kufitar. Ata do të zbresin vetëm nëse lindin dyshime për persona ose mallra të fshehura, mospërputhje identiteti ose sinjalizime në sistemet policore.
Autobusët
Pasagjerët do t’i nënshtrohen kontrollit individual në terminale. Në periudha me fluks të lartë, autobusët e linjave të rregullta do të kenë përparësi në kalim.
Tragetet dhe kroçerat
Kapiteni duhet të dorëzojë listën e pasagjerëve dhe ekuipazhit të paktën 24 orë përpara mbërritjes. Kroçerat që kryejnë vetëm itinerare të brendshme nuk do t’i nënshtrohen kontrolleve kufitare, ndërsa linjat ndërkombëtare do të kontrollohen në korsi të posaçme.
Avionët
Për fluturimet ndërkombëtare, kontrolli kufitar do të kryhet vetëm në aeroportin e parë të mbërritjes në Shqipëri për hyrjet dhe në aeroportin e fundit për daljet. Për fluturimet private, piloti duhet të paraqesë paraprakisht planin e fluturimit dhe identitetin e pasagjerëve.
Trenat
Kontrollet kufitare mund të kryhen ose në stacionin e parë të mbërritjes ose gjatë lëvizjes së trenit, brenda vagonëve, për të shmangur vonesat.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të përditësojë menjëherë sistemin TIMS, procedurat operative dhe udhëzuesit e brendshëm për të gjithë punonjësit e Policisë Kufitare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






