

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se do të japë dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit brenda pak javësh, duke njoftuar se po përgatitet për një fazë të re politike.
Gjatë një tubimi në Beograd, Vuçiç tha se i ka propozuar Partisë Progresive Serbe (SNS) që lista e saj në zgjedhjet e ardhshme të mbajë emrin "Serbia e Bashkuar", duke e cilësuar atë si simbol të unitetit kombëtar.
"Do të jem president vetëm edhe për disa javë, më pas do të jap dorëheqjen. Propozimi im është që lista jonë në zgjedhjet e ardhshme të quhet ‘Serbia e Bashkuar'", u shpreh Vuçiç.
Në fjalimin e tij, presidenti serb theksoi se Serbia do të vijojë të ndjekë politikën e neutralitetit ushtarak dhe të marrë vendime në mënyrë të pavarur, ndërsa do të vazhdojë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian pa ndërprerë marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë.
Vuçiç premtoi gjithashtu përmirësim të treguesve ekonomikë, duke deklaruar se synimi i qeverisë është që brenda dy viteve paga mesatare në Serbi të arrijë në 1,400 euro, ndërsa pensioni mesatar në 650 euro. Ai njoftoi edhe masa të reja mbështetëse për pensionistët dhe shtresat me të ardhura më të ulëta.
Sa i përket Kosovës, Vuçiç ritheksoi se Beogradi është i gatshëm për dialog, por jo për të diskutuar statusin e saj. Ai tha se Serbia do të vazhdojë t’i përmbahet Kushtetutës dhe të mbështesë komunitetin serb në Kosovë.
Në përfundim të fjalës së tij, Vuçiç falënderoi qytetarët për mbështetjen ndër vite, duke theksuar se gjatë 14 viteve në poste shtetërore ka punuar për interesat e Serbisë dhe se uniteti mbetet çelësi për të ardhmen e vendit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






