Transmetuar më 27-06-2026, 15:20

Mënyra se si njerëzit informohen po ndryshon me ritme të shpejta. Për herë të parë në nivel global, rrjetet sociale janë bërë burimi kryesor i lajmeve, duke lënë pas televizionin, radion dhe portalet tradicionale të informacionit.

Ky është përfundimi i Raportit të Lajmeve Digjitale 2025, të publikuar nga Universiteti i Oksfordit, i cili përfshiu rreth 100 mijë pjesëmarrës nga 48 vende të botës. Sipas raportit, 54% e të anketuarve deklaruan se janë informuar gjatë javës së fundit përmes rrjeteve sociale, ndërsa 51% kanë ndjekur lajmet në televizion, radio ose portale informative.

Raporti thekson se ndryshimi nuk kufizohet më vetëm te të rinjtë, por është shtrirë pothuajse në të gjitha grupmoshat dhe në shumicën e vendeve të analizuara.

Gjenerata Z largohet nga mediat tradicionale

Të dhënat tregojnë se 30% e pjesëmarrësve në nivel global i konsiderojnë rrjetet sociale dhe platformat me video si burimin kryesor të informacionit, krahasuar me 22% që ishte kjo shifër në vitin 2020.

Për grupmoshën 18–24 vjeç, përqindja arrin në 52%, duke konfirmuar se Gjenerata Z po mbështetet gjithnjë e më shumë tek platformat digjitale për t’u informuar.

Në të njëjtën kohë, televizioni dhe aplikacionet e dedikuara për lajme kanë shënuar rënie të ndjeshme. Që nga viti 2020, përdorimi i televizionit si burim informacioni ka rënë me 13 pikë përqindjeje, ndërsa aplikacionet e lajmeve me 12 pikë.

Pse po ndryshon mënyra e informimit?

Sipas studiuesve, përdoruesit i shohin rrjetet sociale si një mënyrë më të shpejtë, më praktike dhe më të drejtpërdrejtë për të marrë informacion. Për shumë prej tyre, televizioni nuk është më burimi kryesor i lajmeve, ndërsa konsumimi i përmbajtjes po zhvendoset drejt telefonave inteligjentë dhe platformave sociale.

Megjithatë, në vende si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Suedia, Finlanda, Austria, Belgjika, Holanda, Irlanda dhe Kroacia, mediat tradicionale vijojnë të gëzojnë nivele më të larta besimi nga publiku. Inteligjenca artificiale po fiton terren

Raporti evidenton edhe rritjen graduale të përdorimit të inteligjencës artificiale për informim. Rreth 10% e të anketuarve thanë se gjatë javës së fundit kanë përdorur mjete të AI-së për të ndjekur lajmet.

Sipas autorëve të studimit, integrimi i inteligjencës artificiale në motorët e kërkimit dhe platformat digjitale pritet të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si njerëzit konsumojnë informacionin në vitet e ardhshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit