

Vala e të nxehtit ekstrem që ka përfshirë Evropën Perëndimore po zhvendoset drejt Ballkanit, duke sjellë temperatura shumë të larta dhe paralajmërime për rrezik ndaj shëndetit të qytetarëve në disa vende të rajonit.
Sipas të dhënave të shërbimeve meteorologjike evropiane, temperaturat në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius gjatë fundjavës, ndërsa moti përvëlues do të vijojë të paktën deri të hënën.
Në Shqipëri, shërbimet meteorologjike flasin për temperatura deri 44 gradë celsius në hije. Nën diell, sidomos në makinat e parkuara larg hijeve, temperatura arrin në 50 gradë Celsius.
Agjencia MeteoAlarm ka shpallur alarm të kuq për një pjesë të madhe të bregdetit Adriatik. Ndërkohë, autoritetet në Kroaci dhe Serbi u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë ujë dhe të kufizojnë aktivitetet fizike në ambiente të hapura.
Organizata Botërore Meteorologjike ka bërë të ditur se vala e të nxehtit po zhvendoset gradualisht nga Evropa Perëndimore drejt Evropës Qendrore dhe Ballkanit. Parashikimet tregojnë se temperaturat në rajon do të jenë nga 3 deri në 10 gradë Celsius mbi mesataren klimatike për këtë periudhë të vitit.
Spanja raportoi mbi 300 vdekje të lidhura me nxehtësinë vetëm gjatë javës së fundit, ndërsa sistemet shëndetësore janë nën presion.
Ekspertët paralajmërojnë se, pavarësisht paralajmërimeve për dekada, Europa mbetet e papërgatitur për përballimin e valëve të nxehtësisë, me pasoja të rënda në shëndet, bujqësi dhe jetën e përditshme.
Meteorologët theksojnë se valët ekstreme të të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike. Autoritetet shëndetësore u rekomandojnë veçanërisht të moshuarve, fëmijëve dhe personave me sëmundje kronike të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve në vijim.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






