

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Romën, ku tre anëtarë të një familjeje me origjinë nga Bangladeshi u vranë brutalisht me hanxhar brenda banesës së tyre, ndërsa djali 20-vjeçar mbeti i plagosur.
Krimi ndodhi në rrugën Via Montiglio, pranë zonës Via Pineta Sacchetti, në veri të kryeqytetit italian. Viktimat janë identifikuar si Kamal Uddin, 39 vjeç, bashkëshortja e tij Arzu, 38 vjeçe, dhe vajza e tyre 8-vjeçare, Alicia.
I vetmi i mbijetuar i sulmit është djali i madh i familjes, Onion, 20 vjeç, i cili u plagos gjatë përleshjes me autorin e dyshuar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Sipas mediave italiane, hetimet po drejtohen nga Skuadra Mobile e Policisë së Romës. Autoritetet janë në kërkim të një shtetasi nga Bangladeshi, i cili dyshohet të ketë qenë mik i familjes. Sipas hetuesve, ai është futur në banesë pasi është pritur nga viktimat dhe më pas ka kryer sulmin.
Dyshohet se i riu 20-vjeçar ka tentuar të ndalojë autorin, duke u përleshur me të, para se të arrinte të largohej dhe të kërkonte ndihmë.
Policia vijon hetimet për të zbardhur motivet e krimit dhe për të lokalizuar e arrestuar autorin e dyshuar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






