Transmetuar më 27-06-2026, 14:29

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se e ka shndërruar Shqipërinë në një "parajsë të larjes së parave" në Evropë. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, ai deklaroi se niveli i lartë i ndërtimeve dhe çmimet e pasurive të paluajtshme lidhen, sipas tij, me qarkullimin e parave që burojnë nga trafiku i drogës dhe aktivitetet kriminale.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi debatin për "Albanian Files", Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se mbi të rëndojnë përgjegjësi për korrupsion, vjedhje të pasurisë publike dhe bashkëpunim me kartelet ndërkombëtare të drogës.

Në fjalën e tij, Berisha përmendi edhe një dosje që, sipas tij, lidhet me Franc Çopjan, duke pretenduar se ajo dëshmon lidhje mes grupeve të trafikut të drogës dhe qeverisë. Ai tha se paratë e drogës, sipas pretendimeve të tij, investohen në sektorin e ndërtimit, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të pronave në vend.

"Parajsa e larjes së parave është sot Shqipëria në Europë, sepse ka treguesin e ndërtimit tre herë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian dhe çmime ndër më të lartat në Europë, pikërisht për shkak të narkoeurove", u shpreh Berisha.

Në përfundim të deklaratës së tij, kreu i opozitës kërkoi largimin e kryeministrit Rama nga pushteti.

Berisha: Faleminderit për pyetjen. Unë ju garantoj ju se ky njeri, si çdo diktator tjetër, është i aftë të marrë çdo vendim për të shpëtuar lëkurën e tij. Mbi Edi Ramën rëndojnë krime monstruoze, vjedhje të qindra dhe miliarda eurove, vjedhje të pasurive publike të pafundme. Rëndon bashkëpunimi me kartelet që transportojnë çdo vit qindra e qindra tonelata kokainë drejt Europës, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. Më lejoni t’ju rikujtoj vetëm një moment. Në dosjen e Franc Çopjas, që ishte para këtyre Gjika, Dizdari, Aliaj, ndër të tjera shkruhej se një personazh me mbiemër Roboza në Paraguaj dispononte në vit 350 tonelata drogë, kokainë dhe bashkëpunonte me 41 grupe shqiptare të trafikut të drogës. Njëri prej të cilëve ishte Franc Çopja që kishte siguruar prej tij 28 ton. Që të gjitha këto janë faturë sot, se bashkohen në bashkëpunimin e ngushtë me Edi Ramën dhe qeverinë shqiptare. Sepse këtu droga shtrohet në beton, betoni shtrohet në para dhe drogë përsëri. Parajsa e larjes së parave është sot Shqipëria në Europë, mbasi ajo e ka treguesin e ndërtimit tre herë më të lartë se sa mesatarja e Bashkimit Europian dhe ka çmimet ndër më të lartat në Europë pikërisht për shkak të narkoeurove," tha Berisha

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit