

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 7 qershor, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja.
Sipas rezultateve zyrtare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) renditet forca e parë politike me 47.13 për qind të votave, duke siguruar 53 mandate në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 19.44 për qind të votave dhe 22 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është renditur e treta me 16.69 për qind dhe 18 mandate.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 6.74 për qind të votave, duke fituar shtatë ulëse në Kuvend. Ndërkohë, Lista Serbe ka marrë 5.40 për qind të votave dhe nëntë mandate.
Sa u përket subjekteve të komuniteteve joshumicë, Kosova Demokratik Türk Partisi ka siguruar dy mandate, ndërsa koalicioni "Za Slobodu Pravdu i Opstanak" dhe Koalicija Vakat kanë fituar nga një mandat secili.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deklaroi se rinumërimi i votave në 185 vendvotime nuk evidentoi parregullsi që do të justifikonin zgjerimin e procesit. Sipas tij, dallimet e konstatuara ishin minimale dhe lidhen kryesisht me rikategorizimin e disa fletëvotimeve dhe gabime njerëzore gjatë numërimit fillestar.
Pas certifikimit të rezultateve, subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesa brenda afatit ligjor prej 48 orësh.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






