Transmetuar më 27-06-2026, 13:36

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një vizitë të shkurtër në Berlin, ku ka marrë pjesë në aktivitetin jubilar të Qarkut Parlamentar të Ndërmarrjeve të Mesme (PKM) të grupit CDU/CSU në Bundestagun gjerman, si dhe ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të politikës dhe medias gjermane.

Në një reagim publik, Berisha bëri të ditur se gjatë qëndrimit në Berlin ka marrë pjesë në eventin e 50-vjetorit të PKM-së, ku ishin të pranishëm deputetë, përfaqësues politikë dhe biznesmenë, ndërsa aktiviteti u përshëndet edhe nga kancelari gjerman Friedrich Merz.

Ai deklaroi se gjatë vizitës ka zhvilluar takime me disa figura të CDU/CSU-së dhe institucioneve gjermane, si dhe me përfaqësues të medias, përfshirë zyrtarë të Bundestagut dhe personalitete të politikës europiane.

Sipas Berishës, në këto takime është diskutuar për situatën politike në Shqipëri, të cilën ai e cilësoi si një “krizë të thellë nën qeverisjen e Edi Ramës”, si dhe për protestat e zhvilluara nga të rinjtë shqiptarë.

Kreu i PD-së theksoi se ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e partive dhe institucioneve gjermane ndaj opozitës shqiptare dhe ka paraqitur qëndrimet e tij mbi zhvillimet politike në vend.

Gjatë vizitës, Berisha u takua gjithashtu me përfaqësues të diasporës shqiptare në Gjermani, të cilët, sipas tij, kanë ofruar mikpritje dhe mbështetje gjatë qëndrimit të delegacionit.

Reagimi i Kryetarit të PD, Sali Berisha:

Udhëtim blic në Berlin!

Të dashur miq, Ditën e enjte u nisa për një udhëtim të shkurtër në Berlin me dy qëllime:

Së pari: Për të marrë pjesë, me ftesë të zotit Christian Freiherr von Stetten MdB, Kryetar i Qarkut Parlamentar të Ndërmarrjeve të Mesme (PKM) të grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun Gjerman, në festën e 50-të verore të PKM-së. Ky aktivitet u zhvillua po atë ditë, më 25 qershor 2026, nga ora 17:30 në Kopshtin e Kronprinzenpalais, në Berlin.

Së dyti: Për të takuar miq të mi të shquar gjermanë në Bundestag, CDU, për t’i falënderuar ata me mirënjohje të thellë për mbështetjen e tyre të çmuar ndaj meje, Partisë Demokratike dhe Shqipërisë. Festa e 50-të e PKM-së në kopshtet e Pallatit të Princit të Kurorës zgjati disa orë dhe ishte një mjedis festiv vërtet i mrekullueshëm, që bashkonte qindra deputetë, politikanë të CDU-së dhe biznesmenë të afërt me këtë parti. Festën e përshëndeti Kancelari Friedrich Merz. Aty pata rastin të takoj, të përshëndetem dhe të bisedoj me shumë deputetë të Bundestagut, zyrtarë, gazetarë dhe biznesmenë gjermanë, ndaj dhe e falënderoj me përzemërsi kryetarin, zotin Christian Freiherr von Stetten MdB, për nderin që më bëri me ftesën e tij. Gjatë qëndrimit tim të shkurtër jashtë festës, së bashku me nënkryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, Tomor Alizoti, patëm takime të veçanta në Bundestag me: Zotin Tilman Kuban, zëdhënës për Politikën Europiane të grupit parlamentar të CDU/CSU; Zotin Christian Kremer, kryetar i zyres për marrëdhënie ndërkombëtare të CDU-së; Miqtë e mi të shquar të PD-së dhe të Shqipërisë: Peter Beyer, raportues i grupit të CDU/CSU për marrëdhëniet transatlantike dhe vendet e Ballkanit Perëndimor; Olav Gutting, personalitet i rëndësishëm i grupit parlamentar CDU/CSU për Financat dhe Buxhetin; Elmar Brok, personalitet i shquar i CDU-së, ish-Kryetar i Komisionit të Jashtëm, Sigurisë dhe të Drejtave të Njeriut për dy dekada në Parlamentin Europian; Peter Tiede i të përditshmes gjermane Bild, gazetar i mirënjohur për qëndrimet në mbrojtje të pluralizmit politik në Rusi, Shqipëri dhe në diktaturat e tjera autokratike. Në të gjitha këto takime shpreha mirënjohjen time të thellë ndaj miqve tanë, CDU-së dhe Bundestagut për mbështetjen e tyre ndaj Shqipërisë, Partisë Demokratike dhe opozitës në Shqipëri. Gjithashtu, i njoha bashkëbiseduesit e mi me krizën e thellë që po kalon vendi nën diktaturën autokratike të Edi Ramës, me kërkesat e drejta të rinisë shqiptare në protestën më të gjatë dhe më të fuqishme në historinë e Shqipërisë, si dhe me qëndrimin cinik të Edi Ramës dhe narkoqeverisë së tij ndaj këtyre kërkesave. Gjatë qëndrimit tim në Berlin, takuam dhe u mikpritëm nga miku im ish deputetin dhe ish-zëvendës ministrin e Kosovës Gani Dreshaj dhe përfaqësues të tjerë të diasporës, të cilët i falënderoj shumë përzemërsisht për mikpritjen dhe lehtësitë që na krijuan gjatë qëndrimit në Gjermani.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit