Transmetuar më 27-06-2026, 14:06

Zbardhet ngjarja në Tiranë, i riu qëlloi me kallashnikov drejt një servisi celularësh pas sherrit me pronarin

Pas raportimit paraprak për të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në zonën e Babrrusë, Policia e Tiranës tha sot se ka zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen, duke arrestuar autorin e dyshuar.

Sipas Policisë, autori i dyshuar është Rejsi Muça, 18 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të një servisi celularësh, pas një konflikti me pronarin e biznesit.

Nga hetimet paraprake rezulton se konflikti ka nisur për motive të dobëta. I riu kishte lënë një telefon për riparim në servis dhe, i pakënaqur me rezultatin e shërbimit, është konfliktuar me pronarin e biznesit, shtetasin Xh. I.

Pas debatit, situata ka përshkallëzuar. Sipas Policisë, 18-vjeçari është rikthyer dhe ka qëlluar dy herë me armë zjarri automatike në drejtim të servisit të celularëve.

Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar. Plumbat kanë shkaktuar vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme të biznesit.

Menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes, por është kapur nga shërbimet e Policisë rreth 3 kilometra më tej, teksa tentonte të largohej.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Zbulimi”, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle në zonë dhe kanë gjetur e sekuestruar armën e zjarrit automatike që dyshohet se është përdorur në ngjarje, si dhe municion luftarak.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe dinamikën e konfliktit që çoi në përdorimin e armës. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit