

Në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik 2026, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), dega rajonale Tiranë, ka shtuar kontrollet në subjektet që operojnë në sektorin e hoteleri-turizmit, pishinave dhe beach bareve.
Sipas autoriteteve, inspektimet po zhvillohen në zbatim të urdhrave për monitorimin e të gjitha pishinave, me qëllim verifikimin e kushteve higjieno-sanitare dhe garantimin e sigurisë shëndetësore për pushuesit gjatë sezonit veror.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se këto kontrolle synojnë të sigurojnë respektimin e kërkesave ligjore nga subjektet turistike, duke rritur standardet e shërbimit dhe sigurisë për qytetarët dhe turistët.
Sipas ISHSH-së, gjatë inspektimeve në terren janë konstatuar raste të mosrespektimit të legjislacionit në fuqi, për të cilat janë vendosur masat administrative përkatëse ndaj subjekteve përgjegjëse.
Institucioni thekson se prioritet mbetet garantimi i kushteve të sigurta për pushuesit, duke reduktuar rreziqet që lidhen me higjienën dhe shëndetin publik.
Për këtë qëllim është ngritur një grup i posaçëm inspektimi, i cili do të kryejë kontrolle të përditshme dhe do të trajtojë ankesat dhe denoncimet e qytetarëve përgjatë gjithë sezonit turistik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






