

Tentoi të vriste, duke e goditur me automjet nënën e bashkëjetueses, duke i shkaktuar dëmtime trupore, dhe u largua nga vendi i ngjarjes, pas reagimit të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 28-vjeçari. Sekuestrohet automjeti i përdorur në ngjarje
Lezhë – Në gjendje kritike është një grua në Lezhë pasi burri që bashkëjetonte me vajzën e saj, e përplasi me makinë duke e plagosur rëndë, pas një sherri verbal mes tyre.
Ngjarja nisi si një rrugëtim normal i 28 vjeçarit Cuf Behi, teksa ai shkoi me makinë për të marrë bashkëjetuesen e tij nga shtëpia e prindërve dhe për tu kthyer së bashku në banesën e tyre.
Por ngjarja precipitoi ashpër kur palët u grindën mes tyre.
"Nga veprimet e para hetimore rezulton se, rreth orës 02:05, në lagjen “Skënderbeg”, në Lezhë, 28-vjeçari ka shkuar me automjet për të marrë bashkëjetuesen e tij", tha policia lokale.
Është e paqartë ora e vonë që ka shkuar i riu te shtëpia e prindërve të bashkëjetueses së tij për ta marrë atë dhe për të shkuar në Tiranë ku ai ka vendbanimin.
Në këtë moment kanë dalë familjarët e saj dhe, për motive që lidhen me marrëdhëniet familjare, ai dyshohet se ka përplasur me automjet nënën e bashkëjetueses, shtetasen K. H., 43 vjeçe, duke i shkaktuar dëmtime trupore, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas veprimeve të Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Cuf Behi, 28 vjeç, banues në Tiranë.
Ai akuzohet për veprën penale "Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare", mbetur në tentativë.
E dëmtuara u transportua në Spitalin e Traumës, në Tiranë, ku vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti i përdorur në ngjarje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






