

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar një riformatim të gjerë të kabinetit qeveritar, duke theksuar se ndryshimet diktohen nga prioritetet e reja të vendit dhe jo domosdoshmërisht nga performanca e ministrave.
Sipas Mickoskit, pas dy vitesh në qeverisje, sfidat dhe nevojat e qytetarëve kanë ndryshuar, çka e bën të domosdoshëm një riorganizim të ekzekutivit.
"Rindërtimi i qeverisë nuk bëhet vetëm për shkak të rezultateve. Ndonjëherë ndryshimet janë të nevojshme sepse prioritetet e shtetit dhe të shoqërisë evoluojnë," deklaroi ai.
Kryeministri bëri të ditur se vendimet përfundimtare mbi përbërjen e re të qeverisë do të merren pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, e cila është planifikuar të zhvillohet në javën e dytë të korrikut.
Në muajt e fundit janë përfolur ndryshime në disa dikastere qeveritare dhe emra të rinj për poste ministrore, ndërsa pritet edhe një riorganizim i strukturës së kabinetit.
Mickoski mbrojti punën e qeverisë së tij, duke deklaruar se ekzekutivi ka arritur të stabilizojë institucionet dhe të përmirësojë situatën krahasuar me atë që, sipas tij, trashëgoi nga qeveritë e mëparshme. Ai hodhi poshtë akuzat e opozitës se shumica e premtimeve elektorale nuk janë përmbushur.
Megjithatë, kreu i qeverisë pranoi se ka pasur ankesa për mungesën e komunikimit të disa ministrave dhe drejtuesve të institucioneve me qytetarët. Ai paralajmëroi se nuk do të tolerojë sjellje që cenojnë standardet e qeverisjes dhe u bëri thirrje zyrtarëve që nuk ndihen më në gjendje të përmbushin detyrën të japin dorëheqjen.
Mandati i plotë i qeverisë së Mickoskit përfundon në pranverën e vitit 2028, ndërsa sipas legjislacionit të vendit, para zgjedhjeve parlamentare pritet të formohet një qeveri teknike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






