

Protestat kundër qeverisë në Tiranë kanë hyrë në ditën e 28-të, ndërsa një grup i vogël protestuesish ka kaluar natën përpara godinës së Kryeministrisë, pas tubimit të zhvilluar mbrëmjen e së premtes në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Sipas organizatorëve, protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura ndaj qeverisë. Gjatë tubimit të fundit u përsëritën thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit dhe kabinetit qeveritar, krijimin e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, si dhe ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore përmes referendumit popullor.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu ndryshime në Kodin Zgjedhor, reformimin e ligjit për financimin e partive politike, kufizimin e mandateve të Kryeministrit në jo më shumë se dy gjatë gjithë jetës, si dhe shfuqizimin e disa ligjeve dhe vendimeve që, sipas tyre, lidhen me zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, "Paktin e Maleve" dhe statusin e investimeve strategjike.
Pas fjalimeve, pjesëmarrësit marshuan në rrugët e kryeqytetit, duke ndaluar edhe pranë selisë së Partisë Demokratike, ku shprehën kritika edhe ndaj opozitës.
Ndërkohë, organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vijojnë në mënyrë paqësore deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






