Transmetuar më 26-06-2026, 21:19

TIRANË – Dy turiste nga Holanda janë shpëtuar pas një operacioni kërkim-shpëtimi të zhvilluar në zonën e Shpellës së Pëllumbasit, në fshatin Pëllumbas, ku njëra prej tyre mbeti e lënduar pas një rrëzimi.

Sipas Policisë së Shtetit, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Policinë Alpine të Forcës Kombëtare të Sigurisë, organizuan operacionin për lokalizimin dhe nxjerrjen e dy turisteve, të cilat kishin mbetur të bllokuara në një terren të vështirë gjatë eksplorimit të zonës.

Pas gjetjes së tyre, efektivët i dhanë ndihmën e parë turistes së dëmtuar, e cila më pas u transportua me ambulancë drejt Spitalit të Traumës për trajtim mjekësor. Turistja tjetër u shoqërua në një zonë të sigurt.

Dy shtetaset holandeze falënderuan policinë dhe ekipet e emergjencës për reagimin e shpejtë dhe profesional gjatë operacionit.

Policia e Shtetit u bën apel qytetarëve dhe turistëve që, për çdo situatë emergjente gjatë vizitave në zona malore apo turistike, të telefonojnë numrin pa pagesë 112.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit