

STAMBOLL – Kinemaja turke është në zi. Aktori i njohur Kadir İnanır, një prej figurave më të mëdha të periudhës së artë të Yeşilçam dhe i dashur për breza të tërë shikuesish, është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare.
Aktori veteran ndërroi jetë në spitalin ku po trajtohej për pneumoni. Ai ishte shtruar më 14 maj për shkak të problemeve shëndetësore dhe, pas gjashtë ditësh në kujdes intensiv, ishte intubuar për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij.
Humbja e tij vjen vetëm pak ditë pasi familja u godit nga një tjetër tragjedi, me ndarjen nga jeta të motrës së tij, Altun Arıca, më 23 qershor.
Familjarët kanë bërë të ditur se homazhet do të zhvillohen të premten në orën 13:00 në Qendrën Kulturore Atatürk në Stamboll. Më pas do të mbahet ceremonia fetare në Xhaminë Barbaros Hayrettin Paşa, ndërsa aktori do të prehet në Varrezat Ulus.
Me një karrierë që shtrihet në disa dekada dhe dhjetëra role të suksesshme, Kadir İnanır u konsiderua një nga ikonat më të rëndësishme të kinemasë turke, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e filmit.
Për publikun shqiptar, ai do të mbetet përgjithmonë Iljazi i "Shamikuqes". Roli i tij në filmin "Shamikuqja" (Selvi Boylum Al Yazmalım), përkrah aktores Türkan Şoray, u kthye në një fenomen gjatë viteve ’80 në Shqipëri, duke fituar zemrat e mijëra shikuesve dhe duke mbetur një nga filmat më të dashur të kinematografisë turke për disa breza.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






