

KARAKAS – Venezuela është goditur nga dy tërmete të fuqishme që kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe humbje të rënda në njerëz. Ekipet e kërkim-shpëtimit po zhvillojnë një garë me kohën për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat, ndërsa mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.
Sipas të dhënave paraprake, deri tani janë konfirmuar të paktën 235 viktima dhe mbi 4.300 të plagosur, ndërsa një platformë e krijuar për identifikimin e personave të humbur raporton se mbi 50 mijë persona janë shpallur të zhdukur.
Dy lëkundjet, me magnitudë 7.2 dhe 7.5, goditën pranë kryeqytetit Karakas, me epiqendra të cekëta, duke rritur ndjeshëm nivelin e shkatërrimit. Më shumë se 250 ndërtesa janë dëmtuar ose janë shembur, veçanërisht në qytetin bregdetar La Guaira, ku një hotel 10-katësh u rrëzua plotësisht.
Banorët në zonat e prekura janë dëgjuar duke kërkuar ndihmë nga poshtë rrënojave. Në La Guaira, ekipet e shpëtimit po punojnë edhe me mjete rrethanore për shkak të mungesës së pajisjeve të specializuara. Mes historive të shpëtimit është edhe ajo e një foshnjeje të sapolindur, e cila u nxor e gjallë nga rrënojat.
Sipas vlerësimeve paraprake, ekziston një probabilitet i lartë që numri i viktimave të rritet ndjeshëm, ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet në terren. Raportohet gjithashtu se mes personave të zhdukur ndodhen edhe shtatë futbollistë të kombëtares venezueliane.
Komuniteti ndërkombëtar ka nisur mobilizimin për t’i ardhur në ndihmë Venezuelës. Shtetet e Bashkuara kanë premtuar 150 milionë dollarë ndihmë humanitare dhe kanë dërguar anije e avionë ushtarakë për operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa disa shtete të tjera kanë ofruar mbështetje emergjente.
Ndërkohë, aeroporti kryesor i Karakasit është mbyllur për shkak të dëmtimeve të rënda në infrastrukturë. Pas dy goditjeve kryesore janë regjistruar edhe rreth 30 pasgoditje, duke vështirësuar më tej operacionet e shpëtimit dhe duke mbajtur të lartë rrezikun për banorët e zonave të prekura.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






