

KOTORR – Autoritetet e Malit të Zi, në bashkëpunim me Byronë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI), kanë arrestuar një shtetas me shtetësi iraniane dhe turke, i kërkuar nga drejtësia amerikane për një seri sulmesh kibernetike që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare prej rreth 3.4 miliardë dollarësh.
Operacioni u zhvillua në qytetin bregdetar të Kotorrit, ndërsa i arrestuari, i identifikuar me inicialet A.B., 39 vjeç, akuzohet për një sërë veprash penale, përfshirë komplot për mashtrim kompjuterik, ndërhyrje të paautorizuara në sisteme informatike dhe vjedhje identiteti.
Sipas autoriteteve amerikane, aktiviteti i tij kriminal daton që nga viti 2013. Hetimet tregojnë se ai ka organizuar sulme të gjera kibernetike ndaj infrastrukturës amerikane, duke komprometuar mbi 150 universitete dhe institucione të tjera arsimore.
Në një deklaratë zyrtare, Policia e Malit të Zi bëri të ditur se të dhënat e vjedhura dhe qasja në llogaritë universitare janë përdorur në interes të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe institucioneve të tjera iraniane.
Pas arrestimit, 39-vjeçari është transferuar në Podgoricë, ku autoritetet gjyqësore do të shqyrtojnë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e tij.
Arrestimi vjen në një periudhë kur SHBA dhe aleatët e saj kanë shtuar paralajmërimet për rritjen e sulmeve kibernetike të lidhura me Iranin, të cilat kanë në shënjestër institucione publike, universitete dhe infrastrukturë kritike në vendet perëndimore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






