Transmetuar më 26-06-2026, 18:46

BALLKAN – Pas temperaturave ekstreme që përfshinë Evropën Perëndimore, vala e të nxehtit po zhvendoset drejt Ballkanit, ku meteorologët paralajmërojnë ditë me temperatura rekord dhe rrezik të shtuar për shëndetin e qytetarëve.

Sipas mediave ndërkombëtare, temperaturat pritet të arrijnë deri në 39°C nga dita e diel në pjesë të Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Shërbimet meteorologjike parashikojnë që episodi i të nxehtit të zgjasë të paktën deri të hënën.

Në Kroaci, i gjithë bregdeti i Adriatikut është vendosur në alarm të kuq për shkak të temperaturave të larta.

Në Beograd, termometri pritet të shënojë 36°C të shtunën, 38°C të dielën dhe deri në 39°C të hënën dhe të martën, duke rrezikuar të thyejë rekordin e muajit qershor prej 38.7°C, të regjistruar në vitin 2021.

Pavarësisht vapës përvëluese, mijëra persona pritet të marrin pjesë në një tubim të organizuar nga partia në pushtet në kryeqytetin serb.

Edhe në Prishtinë, temperaturat e larta kanë ndryshuar ritmin e jetës. Rrugët kryesore ishin pothuajse të boshatisura gjatë pasdites, ndërsa qytetarët nxituan të kryenin blerjet e nevojshme për të shmangur daljet gjatë fundjavës.

Në bregdetin kroat, efektet e vapës ndihen edhe në det. Në qytetin e Pulës, temperatura e ujit arriti mbi 27°C që në orët e para të mëngjesit.

Rajoni ka përjetuar edhe më parë episode të ngjashme. Gjatë verës së vitit 2025, Kosova regjistroi temperaturën më të lartë në histori, 42.4°C, ndërsa Shqipëria u përball me zjarre masive që dogjën dhjetëra mijëra hektarë tokë dhe detyruan mijëra banorë të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit